Haradinaj paralajmëron Ramën: E ke tepruar me taksën në Rrugën e Kombit

Për Kryeministrin e Kosovës, Haradinaj, taksa e vendosur nga rama për Rrugën e Kombit ëhstë e tepruar
Taksa prek më së shumti kosovarët, thekson Haradinaj, i cili bën një llogari të thjeshtë: për shkak të mospërfundimit të rrugës, ata, sipas tij, humbin me amortizim makine e kohë, e duke i shtuar edhe 5 eurot e taksës, e gjithë kjo, për kryeministrin e Kosovës, është e ekzagjeruar.
“Për mua është e tepruar, sidomos për faktin se nuk po e shoh të jetë thënë që do ta përmbyllim këtë autorrugë vjeshtën e këtij viti. Të thuhet do vendosim kritere, mirëmbajtje dhe këtë taksë, atëherë jemi në rregull. Unë e paguaj me qejf, jo 5 euro, por sa të duash, ama mos na e lë rrugën ashtu”, deklaroi Haradinaj.
Kamionistë nga kompani të Kosovës protestuan paraditen e së mërkurës në Morinë kundër taksës që për makinat e tonazhit të rëndë, parashikohet rreth 22 euro.
Oda Ekonomikë e Kosovës ka shprehur shqetësime në lidhje me barrierat që bizneseve kosovare po i vendosen nga Shqipëria.
Së fundi edhe taksa për Rrugën e Kombit, që duhet secili që hyn në tunelin e Kalimashit të paguajë, ka shqetësuar bizneset.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, beson se ky vendim do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, raporton KP.
Gërxhaliu tha se nëse vazhdon kështu, ajo më nuk është Rrugë e Kombit. “Rruga e Kombit kështu nuk do të jetë Rrugë e Kombit, por rruga e përfitimit të kompanisë Kastrati”, tha Gërxhaliu gjatë konferencës ku u prezantuan rezultatet e studimit rreth barrierave dhe mundësive të sektorit prodhues në vend.
Gërxhaliu në këtë konferencë ka folur edhe për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi ku shfrytëzoi rastin që për këtë vendim t’i përshëndes deputetët e Kuvendit të Kosovës që e kanë votuar atë.
Ai ka bërë apel tek vendet e Bashkimit Evropian që të mos merret si kusht lufta kundër korrupsionit sepse pësojnë qytetarët dhe bizneset, pasi që siç tha Gërxhaliu, “politikanët nuk do të vuajnë pasojat”.
“Dua të besoj që kriteret më kryesore janë përmbushur”, tha Gërxhaliu.

Artikulli paraprakThirrja e Bashës: Bashkim dhe kundërshtim me protesta masive kundër taksës në Rrugën e Kombit
Artikulli tjetërSot nis beteja për 7 kullat prapa Teatrit Kombëtar, Ministrisa e Kulturës blen pronat