Hapja e negociatave/ Holanda notën ‘4’ për Shqipërinë, gazetari tregon çfarë i thanë autoritetet holandeze

Gazetari Vincent Triest ka folur rreth skepticizmit të Holandës ndaj vendit tonë për hapjen e negociatave. Duke iu referuar deklaratës së deputetëve holandezë ditën e djeshme të cilët e thanë troç se vendi ynë nuk është gati për hapjen e negociatave, Triest deklaroi në një intervistë në ‘Fax Neës’ se frika e Holandës është çështja e kriminalitetit shqiptar.
Ai u shpreh se në Holandë askush nuk e njeh Saimir Tahirin, dhe se nuk janë të interesuar nëse ka korrupsion apo jo në vendin tonë. Sipas Triest, skepticizmi i Holanës vjen për shkak se vetë qytetarët holandezë mund ta pësojnë nga lufta mes bandave shqiptare.
“Holanda, sidomos autoritet e sigurisë kanë frikë për shkak të përshkallëzimit të dhunës mes shqiptarëve, mund të vriten apo plagosen edhe vetë ato. Popullsia nuk e ka patur këtë frikë, por autoritetet po. Nga kontaktet që kam patur me policinë dhe autoritetet e tjera të sigurisë ekziston kjo frikë. Shqetësimet e autoriteteve të sigurisë nëse janë përcjellë tek unë sigurisht ua kanë thënë edhe deputetëve të tyre.
Këta deputetët holandezë nuk është se e vrasin mendjen për korrupsionin apo çështjen Tahiri, por janë të interesuar se çfarë do të ndodhë në Holandë’, tha Triest.
Gazetari tha gjithashtu se tashmë nga pala shqiptare ka fillur të pranohet situata me kriminalitetin pasi më parë mohohej.
“Të dya ambasadat kanë patur një mohim apo shtrembërim faktesh për këtë çështje, por kjo çështje për Holandën është një gjë shumë e rëndësishme. Mendoj se kohët e fundit ka patur një ndryshim nga pala shqiptare se tani nuk mohohet problemi”, tha ai.

“Është shumë e vështirë që në Parlament të aprovohet kërkesa për hapjen e negociatave. Asnjë person nuk më ka thënë në Shqipëri, diplomatë të huaj dhe të tjerë, se vendi është gati për në BE, ashtu edhe në Europë mendojnë se Shqipëria nuk është gati”, shtoi Triest.
Vincent Triest u pyet edhe se kush janë vendet e tjera më skeptike për hapjen e negociatave me Shqipërinë. “Për mendimin tim, janë Franca dhe Gjermania”, u përgjigj ai.
Tetë deputetë holandezë, që nisën dje një vizitë zyrtare në Tiranë, me qëllim vlerësimin e reformave, u shprehën se Shqipëria ende nuk është gati për hapjen e negociatave, pavarësisht progres-raportit pozitiv të KE-së.
Plotësimi i 5 kushteve të vëna zyrtarisht nga institucionet evropiane nuk mjafton për hapjen e negociatave ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së shpjeguan deputetët e gjashtë partive kryesore holandeze. Ata thanë se Shqipëria duhet të trgojë se ka vendoshmërinë e duhur për të dënuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin.
Grupi i deputetëve holandezë është takuar me kryeministrin Edi Rama, kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Duke folur për mediat ata thanë se Shqipëria nuk është gati, pasi problem është ende mosndëshkimi i zyrtarëve. “Shqiptarët janë problematik në Holandë”, kanë thënë ata duke shtuar se janë duke mbledhur informacion dhe nuk ka vendim përfundimtar të Holandës.
Deputetët kanë theksuar se janë skeptikë për negociatat me Shqipërinë dhe se do të jetë e vështirë jo vetëm për ta, por edhe për Gjermaninë dhe Francën që të pranojnë Shqipërinë.
Pas deputetëve gjermanë, duket se dhe Holanda po kundërshton progres-raportin e KE-së që i rekomandon vendeve anëtare hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Artikulli paraprakKomunisti nuk është njeri!
Artikulli tjetërÇfarë duhet të hamë, 10 ushqimet më të mira