Hapet thesi, tender 3 miliardë lekë për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka hapur garën për mirëmbajtjen dhe për zhvillimin e mëtejshëm të Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. 8 vjet pas ngritjes së sistemit kompjuterik të këtij Regjistri, nën pretendimin se tashmë ai do të zhvillohet më tej, duke arritur standardet europiane. Tenderi, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 9 nëntor, ka një fond limit prej 3 miliardë lekësh dhe ka për synim të realizojë një shërbim cilësor dhe bashkëkohor të gjendjes civile në Shqipëri, me disponueshmëri në masën 99,9%.
Shërbimi i ofruar do të zgjasë tre vite dhe do të përfshijë: Këshillim teknik dhe konsulencë, Monitorimi i Hardware/Software, Lokalizim dhe Azhornimi i Software të Sistemit, Shërbime të tjera përmirësimi apo modifikimi infrastrukture, Trajnime për stafin e DPGJC. Në preventivin e hartuar nga MPB, përfshihet edhe një listë e gjatë me pajisje Hardware dhe programe që duhen për të zhvilluar më tej sistemin. Me shumë gjasa oferta fituese do të vijë nga një kompani e huaj, për shkak të specifikimeve të tenderit, që përcaktojnë se operatori duhet të paraqesë referenca për të paktën dy projekte të ngjashme me një institucion të sektorit publik ose privat në një nga shtetet anëtare të BE-së ose kandidat potencial ose vend kandidat, brenda tre viteve të fundit.
Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile është dokumenti shtetëror unik, ku pasqyrohen përbërësit e Gjendjes Civile të çdo shtetasi shqiptar, shtetasi të huaj dhe çdo personi pa shtetësi, me banim të përkohshëm/të përhershëm në Republikën e Shqipërisë. Regjistri është i lidhur me të gjitha zyrat e Gjendjes Civile në Shqipëri, ndërsa është përdorur edhe si bazë për hartimin e listave zgjedhore.

Artikulli paraprakÇfarë fsheh megatenderi 50 milionë USD për naftën
Artikulli tjetërSkandali me masakrën Veliera përfundon në UNESCO