Hapa shumë të vegjël për planetin

Konferenca për klimën e Katovicës ka përfunduar me një marrëveshje pozitive, por e pamjaftueshme për ta frenuar ngrohjen globale. Sinjalet e optimizmit vijnë nga aktivizmi rinor

Mëngjesin e së shtunës 15 dhjetor në Katovicë, në qendrën e madhe të kongreseve që për dy javë ka mirëpritur Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Klimën (COP 24), kishte ardhur tashmë momenti i çmontimit të pavvionëve të 200 vendeve pjesëmarrëse. Në orën 8 sallat e mëdha qenë thuajse të shkreta. Seanca e fundit plenare ishte në program për në orën 10. Më pas është shtyrë për në mesditë. Tensioni po fillonte të rritej, ndërsa tekstet e rinj të marrëveshjes finale, të njoftuara gjatë natës, vonojnë të vijnë. Një orë e gjysmë më pas Mohamed Nasheed, ish Presidenti i Maldiveve, ka marrë fjalën gjatë një conference për shtyp: “Po rebelohemi kundër zhdukjes tonë. Po të jetë e nevojshme do të rebelohemi edhe kundër kësaj negociate”. Është dashur një ditë raportimesh dhe seancash plenare, traktativash sekrete, hapash prapa dhe kërcënimesh, më parë se shtetet të arrinin një marrëveshje. Rreth orës 22 më së fundi ka ardhur epilogu. Michał Kurtyka, Ministri i Energjisë dhe i Mjedisit të Polonisë dhe President i COP 24, ka mbajtur diskutimin përmbyllës duke nënvizuar se “të gjitha vendet kanë punuar pa u ndalur. Të gjitha vendet mund ta lënë Katovicën krenarë, me vetëdijen se pëprjekjet e tyre kanë prodhuar një rezultat”. Më pas ka shtuar: “Linjat drejtuese të ndodhura në paketën e firmosur në Katovicë përbëjnë bazën për zbatimin e marrëveshjes duke filluar nga 2020”. Gjatë dy javëve të konferencës qeveria polake është kritikuar shumë. Parasëgjithash prej zgjedhjes së organizimit të saj në Katovicë, në zemër të rajonit qymyror polak (vendi nxjerr nga qymyri 80% të energjisë elektrike). Veç kësaj, midis sponsorëve zyrtarë të mbledhjes qenë Polska Grupa Gornicza, një prej kompanive më të rëndësishme minerare të botës, dhe grupi indian JSW, prodhuesi kryesor i qymyrit në Europë. Presidenca polake është kritikuar edhe prej vendosmërisë pakët gjatë negociatave. Përtej përshëndetjeve rituale të bëra në fund të mbledhjes, COP 24 nuk u ka dhënë në fakt përgjigje pyetjeve më të rëndësishme. Është e vërtetë se shtetet kanë arritur një mirëkuptim lidhur me rulebook, tërësinë e masave që do të duhet të adoptohen për të zbatuar marrëveshjen e Parisit të 2015, por të gjitha temat e tjera të mëdha janë shtyrë apo shqyrtuar në mënyrë sipërfaqësore.

Raporti i mosdakordësisë
Është rasti për shembull i Raportit të Grupit Ndërqeveritar të Ekspertëve lidhur me Klimën (IPCC) për rreziqet e një rritjeje të tempraturave globale me 1.5 gradë në 20 vitet e ardhshme. Kur është botuar raporti, në tetor, pyetej nëse do të arrihej të mundej inercia e qeverive. Në realitet, problemi nuk ka qenë inercia, por kundërshtimi i fortë i një grupi vendesh të lidhura me naftën: Rusia, Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe Kuvajti. Ofensiva e tyre ka ardhur në fund të javës së parë të negociatave, kur hipotezohej se “vendimi” (teksti final i COP-it i miratuar nga të gjitha shtetet) “ta vlerësonte pozitivisht” (welcome) raportin e IPCC-së. Në tekstin e botuar në tetor shpjegohet se me ritmin aktual temperatura mesatare globale do të rritet me 1.5 gradë centigradë midis viteve 2030 e 2052 dhe se “të kufizohet ngrohja globale brenda 1.5 gradëve kërkon tranzicione të shpejta dhe të thella të sistemeve energjitike, të shfrytëzimit të tokave, të qyteteve, të infrastrukturave dhe të industrisë”. Vlerësimi pozitivisht i raportit do të kishte qenë i drejtë, sidomos pot ë kihet parasysh se është komisionuar nga vendet e COP-it pas nënshkrimit të marrëveshjes së Parisit të 2015, ku qeveritë kanë rënë dakord ta përmbajnë rritjen e temperaturave “shumë poshtë 2 gradëve centigradë dhe të vazhdonin përpjekjet për ta kufizuar në 1.5”. Por në 2015 dijet shkencore nuk qenë të mjaftueshme për të përcaktuar sesa ishte e rëndësishme diferenca midis 2 dhe 1.5 gradëve. Sot dimë se është shumë e rëndësishme. Veç kësaj, falë të dhënave të botuara nga grupi i shkencëtarëve të pavarur Climate Action Tracker, dime edhe se nëse do të respektohen impenjimet e marra të shteteve, rritja e temperaturës do të jetë me 3.3 gradë. “Nëqoftëse duam ta marrim seriozisht marrëveshjen e Parisit, na duhen shifra të ndryshme”, u ka deklaruar Petteri Taalas, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Metereologjisë, delegatëve të mbledhur në Katovicë. Taalas ka nënvizuar edhe se në 2018 emisionet botërore janë rritur. Sulmi më i egër ka ardhur më 2 dhjetor nga Ayman Shasly, negociatori saudit. Në një intervistë të dhënë për uebsajtin Carbon Brief, Shasly ka vënë në dyshim vlerën shkencore e raportit të IPCC-së. I pari që i është përgjigjur negociatorit saudit ka qenë Jean-Pascal van Ypersele, ish Zëvendëspresident i IPCC-së dhe ekspert i fizikës së klimës: “Mënyra më e mirë për ta pranuar punën e kryer nga IPCC-ja do të ishte t’i merreshin seriozisht të dhënat”. Më pas kanë ardhur fjalët e Carlos Manuel Rodriguez Echandi, Ministër i Mjedisit të Costa Rica: “Ndërsa vendet ishullore flasin për mbijetesën e tyre, shtetet arabe flasin për ekonomi”. Në fund nuk është vlerësuar pozitivisht raporti, por vetëm fakti që është dorëzuar në afatet e caktuara dhe delegatët janë kufizuar “që t’i ftojnë palët t’i përdorin në debatet tyre informacionet e ndodhura në raport”. Për sa i përket impenjimit të vendeve të veçanta për të bërë më shumë në luftën kundër ndryshimeve klimaterike, është e qartë se COP 24 nuk ka prodhuar rezultatet e duhura. Marrëveshja e Parisit parashikonte që nënshkruesit të propozonin kontribute të të reja vullnetare kombëtare brenda 2020, por pas botimit të raportit të IPCC-së shumë OJQ prisnin një sinjal të fortë qysh në Katovicë. Në fakt vetëm dy vende i kanë rishikuar impenjimet e tyre vullnetare përpara 2020: Ishujt Marshall dhe Ishujt Fixhi. Shtete të tjera kanë krijuar grupe informale për të njoftuar një rritje të kontributit të tyre brenda 2020, por pa dhënë të dhëna konkrete.

Aktakuza
Edhe Bashkimi Europian është kritikuar për kontributin e tij në COP 24. Në mesin e javës së dytë, kur e kanë pyetur për mungesën e lidershipit të Europës, Komisari Europian për Mjedisin Miguel Arias Canete është përgjigjur prerë: “Lidership do të thotë të kesh ambicie dhe Bashkimi Europian është më ambicioz se të tjerët”. Është e vërtetë vetëm pjesërisht. Praktikisht Europa ka bërë publike përpara nisjes së konferencës strategjinë e tij afatgjatë për arritjen e “neutralitetit klimaterik” brenda 2050; por është e vërtetë edhe se ka harruar një pikë themelore: objektivin për 2030. Motivi i kësaj është se vendet e Bashkimit Europian janë të përçarë. Për momentin jemi akoma në një reduktim prej 40% të emisioneve të dioksidit të karbonit brenda 2030, ndërkohë që do të ishte i nevojshëm një reduktim midis 55% – 65%. Nja 15 vende janë të gatshëm që të shkojnë përtej dhe e kanë lënë të kuptohet duket aderuar në Kolaicionin e Ambiciozëve në Katovicë. Përveç 11 vendeve europiane (midis të cilëve Franca dhe Gjermania), ky grup përfshin edhe Argjentinën, Meksikën, Ushujt Fixhi dhe një grup preh 47 vendesh në rrugën e zhvillimit. Problem është se vendet e Europës Qendrore, duke filluar nga Polonia, bëjnë mur. Mjafton të kujtohet se gjatë diskutimit hapës të COP 24, kreu i shtetit polak ka thënë se vendet e punës në industrinë e qymyrit do të mbijetojnë për 200 vitet e ardhshme. Për sa i përket shoqërisë civile, zëri më i fortë ka qenë ai i Greta Thunberg, një vajzë 15 vjeçare suedeze. E pranishme thuajse gjatë gjithë konferencës bashkë me të atin, Thunberg ka monopolizuar vëmendjen. Prej disa muajsh në Suedi vajza organizon një climate strike (grevë klimaterike) çdo të premte përpara Parlamentit. Ka lançuar një lëvizje që ka prekur vende të tjera, nga Gjermania në Mbretërinë e Bashkuar. Nga podiumi i konferencës më 13 dhjetor, Thunberg ka mbajtur një prej diskutimeve më të forta të dëgjuara gjatë COP 24, duke ju drejtuar liderëve të pranishëm: “Nuk jeni aq të pjekur sa për t’i thënë gjërat siç janë. Po ua lini fëmijëve tuaj këtë barrë”. Më 14 dhjetor disa gjimnazistë polakë kanë ardhur në Taovicë për të njoftuar edhe ata qëllimin e tyre për grevë.
Përtej këtyre ndërhyrjeve, korridoret dhe salat e COP 24 nuk kanë qenë kushedi sesa të trazuara nga mobilizimet e shoqërisë civile. Është për t’u shënuar një aksion për denoncimin e mbështetjes ndaj lëndëve djegëse me bazë fosile të Shteteve të Bashkuara, një tjetër kundër fracking-ut të Mbretërisë së Bashkuara dhe, së fundi, shfaqja më 14 dhjetor e një banderole të madhe e aktivistëve për klimën përpara sallave ku zhvilloheshin seancat plenare, në të njëjtin moment ku në Paris disa militantë denonconin investimet e grupit bankar Societe Generale në lëndët djegëse me bazë fosile. Duhet thënë se autoritetet polake kanë ushtruar një presion të fortë ndaj shoqërisë civile. Jashtë qendrës së kongreseve, climate hub dukej më shumë një bar në modë sesa një eveniment i organizuar nga aktivistë që luftojnë kundër ndryshimeve klimaterike. Në marshimin e 8 dhjetorit për klimën në Katovicë kanë marrë pjesë disa mijëra njerëz, që për më tepër nuk kishin asnjë lidhje me manifestimet e tjera që janë zhvilluar në pjesën tjetër të botës.

Zhdukja e të drejtave të njeriut
Mund të theksohet se COP 24 ishte një eveniment pastërtisht Teknik, që duhej të shërbente për të vendosur një tërësi rregullash lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Parisit. Nga kjo pikëpamje ka funksionuar dhe sidomos janë adoptuar rregulla transparence, shumë të rëndësishme pse tregojnë mënyrën me të cilën çdo vend duhet të kuptojë përparimet e veta. Një kuadër normative i përbashkët do të krijohet në 2024, por do të jetë fleksibël, domethënë do t’i lejojë çdo vendi mundësinë që të shpjegojë në një raport pse nuk e ka respektuar një impenjim të caktuar apo pse nuk ka arritur një të dhënë objektive, me justifikime teknike apo financiarie. Sipas Fanny Petitbon, të OJQ-së franceze CARE, ka një tjetër çështje të rëndësishme që nuk është shqyrtuar siç duhet: ajo që ka të bëjë me “humbjet” dhe “dëmet e pariparueshme” të shkaktuara nga efektet e ndryshimeve klimaterike, një “element themelor për vendet më të prekshme”. Negociatorët amerikanë kanë kaluar dy javë për t’i futur në preambulat e dokumentave për të sqaruar se kjo temë ishte kufizuar në dokumentat lidhur me përshtatjen ndaj ndryshimeve klimaterike. “Çështja e humbjeve dhe e dëmeve është ngritur gjithmonë nga vendet ishullore, por është një problem që u përket të gjithëve”, thekson Laurence Tubiana, ekonomisti francez që ka kontribuar në shkruarjen e marrëveshjes së Parisit. Një tjetër mungesë e konsiderueshme ka qenë ajo e të drejtave të njeriut. “Shtetet kanë refuzuar të fusin në rulebook e marrëveshjes së Parisit çështjet e lidhura me të drejtat e njeriut dhe sigurinë ushqimore, duke vënë në diskutim impenjimet e 3 viteve më parë dhe duke prodhuar një manual të papajtueshëm me marrëveshjen e Parisit”, thekson Sarah Lickel e Secours Catholique – Caritas France. Në preambulën e marrëveshjes së Parisit flitet për të drejta njeriu, por në COP 24 e Katovicës Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë luftuar për bërë që kjo temë të lihej menjanë. Në fund, nga të drejtat e njeriut mbetet vetëm një përmendje në pjesën që ka të bëjë me mekanizmat e tregjeve, por ky nen nuk është adoptuar nga COP 24, që ka vendosur t’ia shtyjë shqyrtimin në 2019. Fillimisht, neni duhej të siguronte një kuadër të qartë për të mundësuar shkëmbimet e emisioneve të dioksidit të karbonit midis vendeve. Kjo mundësi u ishte ofruar tashmë vendeve të pasura, që do të mund t’i blinin nga vendet në rrugën e zhvillimit kredite për ndotjen. Por marrëveshja e Parisi parashikon që edhe vendet në rrugën e zhvillimit t’i reduktojnë emisionet dhe, për pasojë, qeveritë e tyre kanë gjithnjë e më pak interes që t’i shesin kuotat e dioksidit të karbonit jo të emetuara, pasi mund t’ua kenë nevojën në të ardhmen.
Lidhur me temën e financimeve janë bërë përparime. Gjermania dhe Norvegjia kanë njoftuar se do t’i dyfishojnë kontributet për Fondin e Gjelbër të Klimës (respektivisht 1.5 dhe 2.5 miliard euro). Veç kësaj, janë premtuar 128 milion dollar për Fondin e Përshtatjes, që shërben për të ndihmuar vendet në rrugën e zhvillimit. Por sipas Religious Act Center “manuali i përdorimit përcakton rregulla shumë të dobëta për garantimin që financimet do të jenë reale dhe të duhura”. Për Fanny Petitbon e CARE këto njoftime janë “një pikë në det respktivisht 300 miliard dollarëve në vit që do të duheshin për t’u përgjigjur nevojave të vendeve më të prekura brenda 2030”. Këto vlerësime bëjnë të lindë një pyetje: a shërbejnë ende për diçka samitet e mëdha për klimën? Për OJQ-në “CAN International”, “COP 24 ka qenë një testim për multilateralizmin klimaterik, një testim që vendet e kanë tejkaluar me vështirësi”. Përpara konferencës, gjatë një takimi të Climate Vulnerable Forum, ku kanë marrë pjesë vendet e goditura më fort nga ndryshimet klimaterike, ish Presidenti i Maldiveve Mohamed Nasheed ka deklaruar: “Kam një vajzë 21 vjeçare dhe nuk kemi bërë hapa përpara. Është momenti që të ndryshohet taktikë, strategji. Duhet të ndryshojmë gjuhë”. Një tjetër delegate ka shtuar: “Në Katovicë duhet pushuar së qëni apatikë dhe u duhet dhënë fund shtyrjeve”.

Ne rezistojmë
Me sa duket, këto fjalë nuk janë kuptuar, duke nënkuptuar që janë dëgjuar. Wells Griffith, Këshilltar për Politikat Energjitike i Presidentit amerikan Donald Trump, ka deklaruar se “këto politika botërore në fushën e energjisë e të mjedisit do të kenë një impakt ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara” dhe se ai “do t’i mbrojë këto interesa në mënyrë të tillë që rritja, rinovimi dhe shpirti sipërmarrës i Shteteve të Bashkuara të mos pengohen”. Laurence Tubiana ka besuar deri në fund. “Është e rëndësishme që të gjitha vendet të mund të lënë gjurmën e tyre në tekstin final. Është kështu që kemi punuar në Paris dhe është kështu që mund ta shpëtojmë multilateralizmin”, ka deklaruar më 14 nëntor gjatë një konference për shtyp. “Sistemi multilateral nuk është më vetëm përkatësi e qeverive. Kur qeveria e Shteteve të Bashkuara tërhiqet, shtetet e veçanta amerikane, universitetet, kompanitë, qytetet dhe qytetarët thonë: “Jo, ne rezistojmë””. Me siguri që këto takime u mundësojnë vendeve që nuk dëgjohen ndonjëherë të ngrenë zërin e tyre dhe u mundësojnë OJQ-ve dhe shoqërive civile që të kenë një rol të drejtpërdrejtë në proceset vendimmarrëse në zhvillim. Por bëjnë edhe që të futet dhelpra në qymez. Sipas Desmog, një uebsajt që kërkon të kundërshtojë lajmet false lidhur me klimën, të paktën 35 delegatë të Arabisë Saudite, Kuvajtit, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara marrin rrogë apo punojnë zakonisht për kompani dhe organizata të përfshira në industrinë petrokimike e minerare, ose bëjnë presion për llogari të tyre. me sa duket, ku presion i ka sjellë frutet e tij në 2018. Do të ndodhë sërish në 2019, në COP 25 që do të mbahet në Kili?
(Christophe Gueugneau për Mediapart)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakCarlos Ghosn: Fundi një miti!
Artikulli tjetërDiaspora shkarkon Ramën, bashkon shqiptarët!