Hajduti i OSHEE pushime në resortin e luksit në Ibiza

E ndërsa Shqipëria vijon të vuajë ndërprerjen sistematike të energjisë elektrike dhe OSHEE nuk garanton dot furnizimin me energji duke blerë masivisht përmes abuzimesh miliona euro energji, administratori i saj, Ardjan Çela shfaqet duke u relaksuar si “sheik” në një nga resortet super luksoze e të shtrenjta të Europës. I majmur nga fondet e vjedhura, Ardjan Çela rezulton të jetë sot një nga njerëzit më të pasuruar nga pushteti. Ai është fotografuar në një nga resortet më të shtrenjta në Ibiza duke pushuar. Një foto e publikuar dje nga ish-Kryeministri Berisha tregon se si Çela është duke pushuar në një nga resortet luksoze të Ibizës, një vend ky i njohur për çmimet super të larta. “Bosi i vjedhjeve në OSHEE, Ardjan Çela, pasi zhyt Shqipërinë në sezonin turistik në errësirë, për vete ka zgjedhur të qetësohet në Ibiza në një resort shumë të shtrenjtë!”, shkruan Berisha në denoncimin e tij. Ardjan Çela cilësohet si kampioni i abuzimeve me tenderat qindra miliona euro të OSHEE. Prej vitit 2014, kur ky institucion u mor nën drejtimin e Çelës, OSHEE rezulton të jetë një nga institucionet që zhvillon më tepër tendera në vend me shifra tepër të larta dhe me shkelje të rënda gjithashtu. I akuzuar dhe i hetuar për abuzime me tenderat që kur ishte në krye të komisionit të tenderave në Bashkinë e Durrësit, Ardjan Çela i qetë vijoi traditën e tij të abuzimit me tenderat edhe në tre vitet e drejtimit të OSHEE. Si fillim, administratori i Përgjithshëm i OSHEE, Ardian Çela është kujdesur që pagën e tij ta ketë edhe më të lartë se të presidentit të Republikës, rreth 3 milionë lekë në muaj (të vjetra). Krahas kësaj, akuzat ndaj tij për abuzime me tendera miliona eurosh jo vetëm për blerje energjie, por më së shumti për tendera luksi nuk kanë fund. Tendera skandaloze duke nisur nga ato prej 890 milionë lekëve për sigurimin e jetës së punonjësve apo tender 1.2 miliardë lekë për mobilimin luksoz të zyrave e madje për ndërtimin edhe të një kuzhine në zyrën e tij, 727 milionë për trajtimin e punonjësve nga stresi etj., janë vetëm maja e badërtisë së vjedhjeve galopante që kanë ndodhur në OSHEE gjatë këtyre viteve nën drejtimin e Çelës. OSHEE është institucioni më “spektakolar”, në fakt duhet thënë më i korruptuar, për zhvillimin e tenderave në Shqipëri. Miliarda lekë “investime”, të cilat kanë një të përbashkët 99.99% e tenderave të zhvilluara janë me 99.99% të vlerës. Këto tendera shkojnë në disa duar të “sigurta”, kuptohet Ardjan Çela gjen dhe mbrojtjen ligjore, kjo duke u kapur pas procedurave, por vështirë se mund t’i shpëtojë një kontrolli dhe investigimi të fortë dhe të rreptë nga Prokuroria. Nuk është e rastësishme që tenderat shkojnë në disa lidhje të forta politike, vëllezër dhe të afërm deputetësh dhe personash me influencë në PS. Shumë prej tenderave janë me ofertues të vetëm dhe me 99.99% të vlerës të tyre. Kanë konflikt interesi disa prej tyre. Të tjerë shkojnë në subjekte me vlerën maksimale të ofruar duke shmangur ofertat më të ulëta. Drejtori i OSHEE shpesh në qarqet mediatike dhe politike akuzohet si simbol i korrupsionit të Rilindjes, kjo jo vetëm nga tenderat me 99.99% të vlerës. Ka të dhëna dhe aludime ende të pafaktuara, kjo për faktin se është mjaft e vështirë të zbardhen, që në OSHEE merret paradhënie 30% për tenderat që zhvillohen dhe së bashku me Çelën janë përfshirë edhe drejtues të tjerë të institucionit.

 

Artikulli paraprakVila luksoze e Veliajt në plazhin e Qerretit
Artikulli tjetërKompania që fshihet pas ndotjes së ujërave në Sarandë