Gundogan: Manchester City nuk ka fituar ende asgjë

Ilkay Gundogan theksoi se Manchester City nuk ka fituar ende asgjë në këtë sezon, pavarësisht nga një paraqitje mahnitëse e të besuarve të Pep Guardiolës, që gjenden 11 pikë avancë në krye të Premier League. Skuadra rekord e 14 fitoreve në Premier League e mbylli me një fitore 2-1 përplasjen direkte me rivalët e Manchester United në “Old Trafford”, të dielën e kaluar. Ndërsa Jose Mourinho tha se gara e titullit është “ndoshta e gjatë”, pas humbjes së derbit, Gundogan dhe Manchester City nuk do t’i heqin sytë nga trofeu në 22 ndeshjet e kampionatit, që mbeten. “Ne ende nuk kemi fituar ndonjë gjë”, tha Gundogan përpara udhëtimit të së mërkurës në Swansea City.
“Nuk jemi ende në gjysmë të rrugës së gjatë të sezonit. Ka shumë lojëra për t’u luajtur dhe shumë më tepër pikë për t’u fituar. Ne jemi duke shijuar momentin, ndoshta më shumë se 19 skuadrat e tjera në ligë. Kuptohet, ndihemi më së miri tani. E dimë se deri më sot kemi luajtur një sezon shumë të mirë, në të gjitha garat, jo vetëm në kampionat, kështu që ndihemi të sigurt për javët, muajt dhe ndeshjet e ardhshme. Ka shumë detyra që na presin, sidomos në dhjetor, për shkak të të gjitha ndeshjeve. Natyrisht, është situatë e njëjtë ngjeshjesh të ndeshjeve për çdo ekip, por është e vështirë dhe sfiduese. Kësisoji, ne do të fokusohemi në ndeshjen e ardhshme”. Manchester City po garon për nderime të shumta, pasi shorti i 1/8 finale të Champions-it e vendosi kundër Baselit, ndërsa çerekfinalen e “EFL Cup”, më 19 dhjetor, do ta luajë kundër Leicester City.

Artikulli paraprakOSBE: Hetim rasteve të blerjes së votave
Artikulli tjetërChelsea fiton me lehtësi