Guardiola do Manajn tek Manchester City

Paraqitjet e Rey Manajt me Interin, ndonëse me “pikatore” kanë tërhequr vëmendjen e disa klubeve në Europë. Sipas “goal.com”, klubi i Manchester Cityt ka dërguar disa vëzhgues në Itali për të parë nga afër sulmuesin shqiptar, i cili është paraqitur pozitivisht sa herë që trajneri Mançini i ka dhënë mundësinë që të zbresë në fushën e lojës.
Klubi zikaltër nuk ka ndër mend ta shesë kartonin e këtij sulmuesi, pasi e sheh si një yll të së ardhmes. Por Interi do të ishte i hapur ndaj huazimit të tij në Serinë A apo B në sezonin e ardhshëm, në mënyrë që Manaj të luajë më rregullisht.
Ndërsa menaxheri i Hysajt, Mario Giufredi ka bërë disa herë deklarata në favor të klientit të tij, duke u kujtuar drejtuesve të Napolit se shqiptari meriton rinovim dhe mbi të gjitha rishikim të pagës. “Hysaj është mirë te Napoli dhe kërkon që të rrijë gjatë këtu. Mirëpo, në fund të sezonit do të ketë një rishikim të parametrave ekonomikë. Ai ka treguar se është një futbollist i niveleve të larta. Deri tani nuk jemi ulur që të diskutojmë, pasi ka ende objektiva që duhen realizuar, por në fund të kampionatit do të ketë vend për përmirësime”, ka deklaruar agjenti i mbrojtësit të Kombëtares dhe Napolit
Ndërkohë, portieri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Etrit Berisha është përfshirë në iniciativën e fundit të Lacios për të folur nga afër me nxënësit e shkollavë në Romë kundër fenomenit të racizmit. Në ndeshjet e fundit të Serisë A, klubi i Lacios ka pasur probleme me koret raciste në stadium, duke marrë edhe penalizime. Mediat italiane shkruajnë se Berisha, Biglia dhe Konko ishin përzgjedhur në takimin e radhës për të biseduar me fëmijët romanë.
“U fol për futboll dhe racizëm dhe më pas selfie kolektive”, shkruan e përditshmja italiane ‘Corriere dello Sport’. Berisha i është përgjigjur pyetjeve të fëmijëve, duke pranuar incidentet raciste që kanë ndodhur në ndeshjet e Lacios. “Po, ndodh ndonjëherë dhe është e gabuar. Njerëzit e zgjuar duhet t’a izolojnë këtë minorancë”, ka thënë Berisha.
Ai ka rrëfyer edhe disa nga emocionet e para që provoi kur u aktivizua me klubin kryeqytetas: “Sapo erdha te Lacio isha nervoz, sepse nuk isha mësuar me shumë tifozë. Shokët më kanë ndihmuar dhe tani ndihem i qetë”, ka theksuar portieri i Kombëtares shqiptare të futbollit.

Artikulli paraprak11 vjet më parë!
Artikulli tjetërNë burgun ku lindi ISIS, embrionet e terrorit