Grabitjet në Rinas dhe Qafë-Kashar me të njëjtin furgon

Hetuesit e grabitjes së parave në Aeroportin e Rinasit po kërkojnë informacion të detajuar, rreth asaj që është arritur të sigurohet si provë materiale, në grabitjen e ndodhur më 3 dhjetor, në “Qafë-Kashar”.
Një kamera sigurie ka arritur të kapë në largësi momentin, kur personat e armatosur, pas grabitjes së 3.8 milionë eurove, nxjerrin nga makina tip “Jeep” thasët me para dhe i transferojnë në një furgon mallrash, duke i vënë më pas zjarrin “Fuoristradës”.
Ekspertët po ballafaqojnë filmimet e ngjarjes së dhjetorit dhe ato të siguruara pas grabitjes së Rinasit.
Burime nga organi i akuzës, për Televizionin “Klan” thanë se, janë shumë elementë që bëjnë të ngrihet dyshimi i arsyeshëm, se në të dy ngjarjet kemi të bëjmë me të njëjtin grup kriminal, ku përfshihet dhe fakti se pas djegies së makinave, me të cilat janë kryer grabitjet për t’u larguar, është përdorur mjet tip “Furgon”.
Ekspertiza e pamjeve filmike do të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me të njëjtin mjet tip “Furgon”.
13 ditë pas grabitjes së rreth 1 milion eurove të një banke të nivelit të dytë brenda Aeroportit të Rinasit, ende nuk janë arrestuar autorët e grabitjes, pavarësisht se po hetohen dy grupe kriminale, me tendencë vjedhje me dhunë nga Kosova dhe Burreli.

Artikulli paraprakGrabitet dyqani “Globe” në qendër të Elbasanit
Artikulli tjetërKthehet për rigjykim dosja e Dritan Dajtit, vrasësit të 4 policëve