Grabitja, Prokuroria: Policia e njoftuar për lëvizjen e parave

Prokuroria bën të ditur se, policia ka qenë e njoftuar për lëvizjen e vlerave monetare nga qendra e Tiranës në drejtim të Rinasit ditën që maskat grabitën paratë e bankës së nivelit të dytë në Qafë Kashar. Sipas organit të akuzës, njëri prej personave përgjegjës të shoqërisë së sigurisë ka deklaruar se, rreth orës 12:36 minuta ka njoftuar Drejtorinë e Policisë për lëvizjen e parave. Çdo gjë ka ecur normalisht derisa makinat e shoqërisë së sigurisë janë futur në rrugën e Rinasit.
Policia nuk ka ndërhyrë për të neutralizuar grabitësit. Një patrullë policie ka qenë vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes, por nuk ka ndërhyrë. Ky fakt u pranua edhe nga drejtori i Policisë së Tiranës, i cili tha për mediat se një patrullë policie ka qenë në lëvizje në segmentin rrugor ku ndodhi grabitja. Në momentin e grabitjes nga maskat, njëri nga rojet e sigurisë dëgjohet në një video të publikuar nga mediat që thërret: “Patrulla ishte aty, këto vidhen nga vetë shteti”.
Prokuroria ka tashmë të qartë dhe skemën e kryerjes së grabitjes. Jo larg një universiteti privat, në mes të makinave të blinduara, është futur një mjet fuoristradë, e cila fillimisht i ka bllokuar rrugën makinës shoqëruese dhe më pas ka dalë pas saj. Në këtë moment, nga një rrugë dytësore, ka dalë një tjetër mjet tip fuoristradë që ka goditur makinën e blinduar, duke e ndaluar atë. Nga kjo makinë kanë dalë disa persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët kanë qëlluar në drejtim të makinës së blinduar. Një prej personave nën hetim deklaron se, ka parë që autorët mbanin rroba me nënshkrimin “Policia”. Ndërsa personat e tjerë nën hetim deklarojnë se kanë parë që autorët ishin të veshur me rroba të errëta, kryesisht nga ato që veshin Forcat Speciale, por kanë deklaruar se nuk kishin fiksuar nëse në vjeshjet e tyre kishte shënime. Ndërkohë, në të njëjtën kohë me përplasjen e mjetit të parë, është sulmuar edhe makina e shoqërimit nga dy autorë të tjerë. Grabitësit kanë përdorur jo vetëm armët, por edhe një çekiç tip vareje e deri një gur freksibël për të thyer kasafortën nga ku kanë marrë 8 thasë.
Para se të zbrisnin nga automjeti, sipas deklarimeve, një prej punonjësve të SHPSF-së ka qëlluar 3-4 herë në drejtim të personit që theu xhamin. Po sipas deklarimeve, personi me vare në dorë është larguar dhe aty është afruar një tjetër prej autorëve, i armatosur, i cili ka futur armën brenda kabinës së mjetit nëpërmjet xhamit të thyer, duke i kërcënuar punonjësit e sigurisë, të cilët janë detyruar të dalin jashtë. Mjetet që transportonin paratë kanë qenë të pajisura me kamera sigurie të vendosura, një nga ana e jashtme tek dera anësore e makinës së blinduar dhe tjetra brenda makinës pas shoferit. Por personat nën hetim kanë deklaruar se nuk ishin në dijeni nëse kamerat janë të lidhura me sistemin e sallës operative të shoqërisë për të cilën punonin. Në makinë kanë pasur edhe radio komunikimi dore, me të cilën duhet të komunikonin me sallën operative si edhe me makinën shoqëruese, por rojet nuk ia kanë dalë, pasi sulmi i autorëve ka qenë i shpejtë pa u lënë kohë që të komunikonin në radio.
Prokuroria bën të ditur se janë grabitur 3.2 milionë euro vetëm për pak minuta nga grupi prej 6-7 personash që organizoi dhe ekzekutoi grabitjen e parave të një bankë të nivelit të dytë në aksin Qafë-Kashar-Rinas. Mediat pranë qeverisë njoftuan ditën e  ngjarjes se janë grabitur 100 mijë euro, ndërsa më pas u deklarua se shuma e grabitur ishte 2 milionë euro. Ndërkohë, burimet nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se janë grabitur 10 thasë me nga 1 milion euro.

Artikulli paraprakBasha: Vendimi i gjykatës, zbardhje e urdhrit të Ramës
Artikulli tjetërRoshi urdhëron militantët të prishin takimin e Bashës, revoltohen qytetarët