Grabitet një karburant në Durrës

Një karburant është grabitur me armë në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Ngjarja ka ndodhur në Durrës dhe pre e grabitjes ka qenë një pikë karburanti. Burime nga policia thanë se, kanë qenë dy persona të armatosur që rreth orës 03:20 minuta kanë shkuar në ambientet e karburantit dhe pasi kanë kërcënuar me armë punonjësin, kanë marrë edhe shumën e parave që kanë gjetur.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, por nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët. Punonjësi i karburantit ka pohuar para policisë se nuk i ka njohur grabitësit, pasi kanë qenë të maskuar.
Grabitjet e karburanteve në zonën e Durrësit janë bërë të shpeshta muajt e fundit. Para disa ditësh, një tjetër karburant u grabit po në Durrës, ku mbeti i plagosur rëndë roja i karburantit. Pre e grabitësve ka rënë një karburant në Durrës tek ura e Dajlanit. Autorët kanë hyrë nga ana e pasme e godinës dhe kanë thyer xhamat. Më pas, ata kanë arritur të hapin kasafortën e karburantit dhe të marrin aty një shumë parash. Dyshohet se, autorët kanë qenë të mirëinformuar se ku ndodheshin paratë. Edhe në këtë rast policia nuk ka arritur të zbulojë dhe arrestojë autorët e grabitjes.

Artikulli paraprakMamurras-Milot, rruga e vdekjes për faj të shtetit
Artikulli tjetërMaskat grabisin dyqanin e këmbimit valutor në Kavajë, policia e fsheh