Grabitet edhe gruaja e nëndrejtorit të policisë

Kishte realizuar më shumë se 7 vjedhje, duke rrëmbyer çanta dhe sende të tjera personale në dyqane të ndryshme veshjesh, teksa klientët provonin ato që dëshironin të blinin. Por, në tentativën e tetë, dështoi pasi zgjodhi personin e gabuar për t’i vjedhur çantën, zgjodhi bashkëshorten e nëndrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardian Çipën. Dhe ky i fundit nuk mund të toleronte që edhe bashkëshortja e tij të binte preh e vjedhjeve, duke e arrestuar vetë personalisht bionden Rosalinda Konomi, e cila aktualisht ndodhet e arrestuar në pritje të gjykimit për akuzën e vjedhjes së pasurisë të konsumuar më shumë se një herë.
Madje edhe raportin për arrestimin në flagrancë e ka përpiluar vetë nëndrejtori Çipa me shkrim dore, duke shpjeguar edhe rrethanat se si mori dijeni nga bashkëshortja e tij dhe deri tek identifikimi nëpërmjet kamerave të sigurisë dhe arrestimin e bërë personalisht nga ai.
Ndërhyrja e numrit dy të Policisë e Shtetit për arrestimin e Konomit, zbuloi edhe rastet e tjera të vjedhjeve të bëra nga e pandehura në fjalë, e cila ruante momentet, kur gratë dhe vajzat futeshin në dhomat e provës, për t’i vjedhur çantat apo sende të tjera. Këtë të enjte, Gjykata kishte parashikuar nisjen e gjykimit ndaj Rosalinda Konomit, por as kjo e fundit dhe as avokati nuk u paraqitën, duke bërë që seanca të dështojë.

Artikulli paraprakApeli lë në burg Shukriun
Artikulli tjetërThyhet Moratoriumi, makinë me trupa në Portin e Shëngjinit