Gomonia me 800 kg drogë nga Durrësi kapet në Itali

Një gomone me 800 kg hashash u kap në brigjet italiane pasditen e të hënës. Lënda narkotike ishte ngarkuar në Shqipëri, ndërsa në pranga kanë rënë dhe dy skafistët që transportonin drogën. Gomonia  7 m e gjatë me dy motorë nga 150 kuajfuqi u kap nga Guarda di Finanza në afërsi të Viestes, Foxhia. Sipas mediave italiane, gatë operacionit është sekuestruar gomonia dhe lënda narkotike, në total 800 kg e ndarë në 42 pako. Bëhet e ditur se gomonia ishtë nisur nga brigjet e Durrësit, ndërsa janë arrestuar në flagrancë dy skafistët shqiptarë me iniciale V.T, 21 vjeç nga Kavaja dhe D.B. 32 vjeç nga Durrësi.
Trafiku i drogës drejt Italisë është rritur frikshëm gjatë ditëve të fundit. Tre ditë më parë Forcat e Guardia di Finanzas kapën një gomone me 1.2 ton marijuanë në ujërat e Adriatikut, pranë Barit. Mediat italiane bënë të ditur se, Drejtoria Antimafia e Policisë së Barit në bashkëpunim me repartin territoral të Policisë Financiare kanë sekuestruar një gomone me drogë me prejardhje nga Shqipëria. Sipas mediave italiane, një skaf me motorë të fuqishëm i nisur nga brigjet shqiptare u pikas nga Guardia di Finanza dhe u ndoq në det për disa minuta. Në operacion u angazhuan forca të shumta policore nga deti dhe nga ajri. Skafi me drogë ishte drejtuar në veri të Barit, por është bllokuar në Molfeta. Për t’i shpëtuar policisë, trafikantët hodhën në det ngarkesën me kanabis.
Sipas statistikave, gjatë dy muajve të parë të këtij viti drejt Italisë janë futur plot 30 tonë drogë nga brigjet shqiptare. Kjo sasi e madhe droge e kapur në Itali u konfirmua edhe nga Shefi i Guardia di Finanza, Giorgio Toschi. Kreu i Guardia di Finanza deklaroi para një jave në Tiranë se, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë kapur 30 ton mariuanë e nisur nga Shqipëria.

Artikulli paraprakPolicia greke sekuestron 40 kg drogë dhe armë nga Shqipëria
Artikulli tjetërGjykata e Apelit refuzon lirimin nga burgu të Artur Zotos