Gomonia me 7.6 kuintalë drogë nga Shqipëria bllokohet në Leçe

Një gomone me ngarkesë prej 761 kg kanabis sativa e nisur nga brigjet shqiptare është kapur nga policia italiane në Leçe. Bëhet e ditur se, Guarda di Finanza nga Bari dhe nga Leçe u sinjalizuan për një gomone të ngarkuar me drogë dhe u vunë në kërkim të mjetit lundrues.
Pas ndjekjes, skafi 8 metra i gjatë me ngarkesën e kanabisit u ndalua 10 milje larg Sant Andreas në Leçe. Policia arrestoi 29-vjeçarin me iniciale E.M nga Vlora dhe një shtetas italian. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Policia bëri të ditur se ka asistuar në operacionin antidrogë. “Pas sinjalizimit nga Policia e Shtetit nëpërmjet Zyrës Interforcë dhe Nuklit detar në Durrës të Guardia di Finanza, reparteve operative të Guardia Di Financës në Bari dhe Leçe iu deshën rreth 3 orë për ta interceptuar mjetin lundrues të ngarkuar me lëndë narkotike, i cili u kap 10 milje afër Sant Andreas në Leçe”, bën të ditur policia shqiptare.
Një javë më parë u sekuestrua 1 ton marijuanë në Katania. Droga, e cila nëse do të hidhej në treg do të jepte një fitim prej më shumë se 3 milionë eurosh vinte nga Shqipëria. Policia italiane ka bërë të ditur për mediat, se kjo është sasia më e madhe e drogës që është sekuestruar brenda vitit 2016 në Siçili. Ndërsa para dhjetë ditësh, Policia italiane sekuestroi në Bari një gomone me 1.6 ton marijuanë dhe arrestoi tre skafistët, dy prej tyre nga Vlora. Mediat italiane raportuan se, Guardia di Finanza zbuloi një gomone 10 metra të gjatë, që udhëtonte në brigjet mes Monopoli dhe Mola.

Artikulli paraprak“Avioni” në Ishëm, Ministria e Mbrojtjes refuzon Prokurorinë
Artikulli tjetërMjekët sërish në protestë kundër koncesionit të laboratorëve