Goditje tjetër biznesit me pagën

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka pohuar dje në daljen e fundvitit për mediat se paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore do të rritet në 23 mijë lekë ose 24 mijë lekë, kjo nuk është vendosur akoma.
Deklarata e djeshme është e kundërt me atë të tetorit, ku ministri i Financave tha se paga minimale për bizneset nuk do të rritej, por vetëm ajo për shtetin do të arrinte në 30 mijë lekë.
Ndonëse bizneset janë ankuar se rritja e pagës minimale e palidhur me produktivitetin do t’i dëmtojë ata, Ahmetaj tha se niveli i ndryshimit është i vogël dhe nuk pritet të ndikojë në konkurrueshmërinë e bizneseve.
Aktualisht paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore është 22 mijë lekë dhe prej tre vitesh qëndron e pandryshuar.
Rritja e pagës minimale sjell automatikisht dhe atë të pagës maksimale, por rregulli që paga maksimale është sa pesëfishi i asaj minimale është prishur që prej dy vitesh. Aktualisht paga maksimale për efekt kontributesh është 97,030 lekë.
Biznesi, ekspertët e sindikalistët ndajnë mendime të ndryshme rreth rritjes së pagës minimale.
Sipërmarrjet janë kundër. Me rritjen e pagës minimale, në kushtet kur ajo nuk është e lidhur me produktivitetin, bizneset pohojnë se do të përballen me kosto më të larta e që mund ta reflektojnë këtë te çmimet. Apo, më keq, siç thonë edhe vetë sipërmarrësit, mund të nxisë, me dëshirë, informalitetin. Florjan Zekja, drejtues i një biznesi fason, thotë se, “rritja e pagës minimale për sektorin tonë do të ishte shkatërruese. Kostot e punës do të rriteshin ndjeshëm. Kjo do të bënte që porositësit të largoheshin në vende të tjera, si në Maqedoni apo në Tunizi”.
Edhe Gjergj Liqejza, një tjetër drejtues kompanie fasoni në Shkodër, thotë se në sektorin e fasonit, fondi i pagave zë rreth 60% të kostove dhe se rritja do të cenonte rëndë marzhin e fitimit të kompanive që operojnë. “Nga njëra anë, tatimfitimi 15%, po kaq edhe tatimi mbi dividentin, 9% nga rritja e pagës minimale, të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin koston e punës dhe na bëjnë jokonkurrues”, thotë z. Liqejza.
Në anën tjetër, sindikatat kanë kërkuar rritje të pagës minimale. Kol Nikollaj, president i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë thotë se ata kanë miratuar një rezolutë, e cila iu drejtua strukturave qeverisëse dhe vendimmarrjes politike, duke kërkuar një rritje të pagës minimale në masën 30%.

Artikulli paraprakShqiptarët më të ekspozuarit nga rreziqet në punë
Artikulli tjetërBashkia e Tiranës në krye për lejet e ndërtimit