Goditet një bandë shqiptare e trafikut të klandestinëve në Holandë

Në Holandë është goditur një rrjet trafikimi shqiptarësh drejt Britanisë. Për herë të parë si mjet për transportin e klandestinëve do të përdorej avioni. 9 persona, ndër të cilët 5 shqiptarë, u vunë në pranga. Policia holandeze bëri të ditur se, ka ndaluar 14 klandestinë shqiptarë, të cilët tentuan të kalojnë nga Holanda drejt Britanisë së Madhe me avion. Burimet Policore në Holandë thonë për ABC News se trafikimi i shqiptarëve  ka mbetur në tentativë, pasi Policia holandeze mundi të arrestonte 9 persona. Ata ishin pjesë e një grupimi të mirëorganizuar që planifikonin trafikimin e shqiptarëve. Sipas policisë, është hera e parë që klandestinët shqiptarë përdorin avionin si mjet transporti. Deri tani mënyra e trafikimit të emigrantëve të Britanisë ka qenë me kamiona ose anije.
Burimet pranë Policisë holandeze tregojnë për ABC News se 9 personat e ndaluar janë të moshës 29 deri 62 vjeç. Dy prej tyre janë pilotë, shtetas britanikë, dy shoferë holandezë, ndërsa 5 personat e tjerë janë shqiptarë. Kreu i këtij grupi ishte një shtetas shqiptar.
Burimet policore thanë se tentativa e trafikimit të 14 klandestinëve u dekonspirua, pasi në kufi me Belgjikën u ndaluan dy furgona me grupin e 14 shqiptarëve. Skuadrat e vëzhgimit të Policisë holandeze piketuan dhe dy pilotët në një aeroport rajonal, të cilët ishin në pritje të shqiptarëve për t’i trafikuar.
Muajt e fundit, klandestinët shqiptarë janë bërë një problem i madh për Holandën, pasi numri i tyre është gjithnjë në rritje. Në jo pak raste në portet holandeze, janë zbuluar shtetas shqiptarë, të fshehur në kamionë, gati për të ikur në Angli.
Ndërkohë, një shtetas shqiptar është arrestuar në Athinë, i akuzuar për posedim dhe trafik droge. Policia mbërriti në arrestimin e tij pas gjetjes së një sasie prej 6 kg kanabis dhe dy peshoresh precizioni në një apartament, në lagjen Neo Kosmo të kryeqytetit helen. Nga verifikimet rezultoi se  apartamenti ishte marrë me qera nga 35 vjeçari shqiptar. Bashkë me të arrestuarin, policia identifikoi edhe katër shtetas të tjerë shqiptarë që gjithashtu implikohen në trafiqe droge.

Artikulli paraprak157 vite burg për trafikantët e drogës të linjës Shqipëri-Itali
Artikulli tjetërGjykata e Apelit liron trafikantin e drogës