Gjysma e familjeve shpenzojnë mbi 10% të të ardhurave për energji

Banka Botërore ka publikuar raportin periodik mbi energjinë e qëndrueshme që shërben si një kornizë globale për sektorin. Ky raport publikohet çdo dy vjet dhe është një bashkëpunim i Bankës Botërore me institucione mjaft të rëndësishme, si: Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD), Organizata Botërore e Shëndetësisë, Këshilli Botëror i Energjisë, etj. Në këtë raport të gjerë merret në analizë edhe Shqipëria. 46% e familjeve shqiptare shpenzojnë më shumë se 10% të të ardhurave të tyre për energji, thuhet në këtë raport. Pavarësisht se vlerësohet të jetë një ndër vendet që ka bërë progresin më të madh në drejtim të asaj që konsiderohet gatim i pastër, pra që procesi kryhet nëpërmjet burimeve të rinovueshme, Shqipëria është në vendin e katërt nga fundi në Europë. Vetëm 67.1% e popullsisë shqiptare ka akses në gatim të pastër, ndërkohë që për pjesën dërrmuese të vendeve europiane norma fiksohet në 100%. Ky është ndër objektivat kyç të kësaj kornize. Më keq se vendi ynë janë vetëm Bosnje-Hercegovina, Maqedonia dhe Gjeorgjia. Me një normë në 38.7%, Shqipëria vlerësohet si një ndër vendet që ka normën më të lartë të energjisë së rinovueshme në raport me totalin e energjisë së prodhuar në rang kontinenti.

Artikulli paraprakShqiptarët po fitojnë më pak
Artikulli tjetërParatë e humbura në gjyqe