Gjykata rikthen në detyrë Dritan Demirajn te Forcat e Armatosura

Ministri teknik i Brendshëm, Dritan Demiraj fitoi betejën në Gjykatë me Ministrinë e Mbrojtjes, duke u rikthyer në detyrën që mbante në vitin 2014, atë të kolonelit në Forcat e Armatosura. Në këtë mënyrë, Demiraj ka fituar të drejtën për të qenë sërish pjesë e Forcave të Armatosura.
Ministria e Mbrojtjes nuk heq dorë, por vendos të vazhdojë betejën ligjore me Dritan Demiraj, aktualisht ministër i Brendshëm i emëruar nga PD-ja. Dje u mësua vendimi që Gjykata Administrative e Apelit kishte pranuar kërkesën e Demirajt, duke i dhënë të drejtë atij për rikthimin në detyrën e mëparshme ose në një detyrë të të njëjtit nivel, si dhe pagesën për të gjithë periudhën që ka qenë i liruar nga detyra. Por ky vendim mesa duket nuk e ka kënaqur Ministrinë e Mbrojtjes, e cila mësohet se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.
“Gjykata e Apelit vendosi dje të pranojë padinë e kolonelit në lirim. Në këto kushte, menjëherë sapo të njihemi me vendimin e Gjykatës të zbardhur, Ministria e Mbrojtjes do të ushtrojë rekurs përpara Gjykatës së Lartë”, thuhet në një njoftim të shpërndarë dje nga Ministria e Mbrojtjes.
Ndërkohë Gjykata Administrative e Shkallës së Parë i kishte dhënë të drejtë Ministrisë së Mbrojtjes për vendimin që ka marrë për largimin nga FA të kolonelit në lirim Dritan Demiraj.
Demiraj, duke komentuar vendimin e Gjykatës tha se Reforma në Drejtësi ka filluar të japë efektet e para, edhe pse është pak për ta quajtur sukses. Madje shtoi: “Eshtë bërë presion i jashtëzakonshëm që unë të mos kthehem në punë”.
“Unë jam një ushtarak me 31 vjet karrierë, jam i stërvituar që të fitoj betejat dhe kjo ka qenë beteja e radhës. Më vjen mirë që mora të drejtën absolute të kthimit në detyrë, falenderoj dhe avokatin Tërshana, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme kryesisht me presionin për ta penguar këtë vendim. Duket që Reforma në Drejtësi po jep frytet e veta. Pra, jemi në një kohë që sistemi i drejtësisë po jep vendime të drejta që padrejtësisht janë larguar nga puna”, u shpreh Demiraj.

Artikulli paraprakNafta me cilësi të keqe e bllokuar në Kosovë kthehet sërish në Shqipëri
Artikulli tjetërDrogë nga Shqipëria, goditet organizata kriminale në Greqi