Gjiknuri, 37 milionë lekë për projektimin e godinës me ngrohje diellore

Ministria e Energjetikës vazhdon të çudisë me tenderët që kryen. Megjithëse ka në dorë dhëniet me koncesion të lumenjve, për ndërtimin e hidrocentraleve apo HEC-ve, apo edhe për dhënien e lejeve për shfrytëzimin e minierave, ministria që drejtohet nga Damian Gjiknuri ka bërë “shkencën” e radhës.
Boldnews.al ka siguruar disa dokumente për një tender që po kryen kjo ministri. Mësohet se në Agjencinë e Prokurimit Publik është hapur tenderi për marrëveshjen në kuadër për hartimin e një projekt-ideje, konsulencë për ndërtimin e godinës së Agjencisë së Efiçencës së Energjisë. Fondi limit për këtë konsulencë është 37 milionë lekë të vjetra dhe kohëzgjatja e kontratës, ose afati kohor për ekzekutimin, është nga lidhja e kontratës për 90 ditë. Tenderi do të realizohet më 20 qershor.
Megjithatë, ajo që është e çuditshme në këtë tender është objekti i tij. Ministria do të ndërtojë godinën e Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, e cila do të jetë me ngrohje diellore. Megjithëse ka mjaft probleme me ndërtesat aktuale, të cilat kërkojnë një rinovim, Gjiknuri preferon që të bëjë rolin e shkencëtarit, duke dhënë si fillim, vetëm për konsulencën, plot 37 milionë lekë për këtë godinë. Nisur edhe nga kjo shumë, ajo që pritet për ndërtimin e godinës, do të ketë shumë zero pas kësaj shifre.
Boldnews.al ka siguruar edhe dokumentet shoqëruese të këtij tenderi, ku thuhet se qëllimi kryesor i projektimit të ndërtesës me efiçencë energjie është që të ruhen temperaturat e përshtatshme të brendshme, ndriçimi natyral dhe ajrosja e shëndetshme me nevojën më të ulët për ngrohje dhe ftohje tradicionale (me bazë lëndët djegëse fosile). “Projektimi i ndërtesave me efiçencë energjie për dimër të ftohtë, kryesisht nënkupton që zarfi i ndërtesës duhet të jetë efikas, i izoluar mirë dhe të mos fusë ajër dhe që ndërtesa të shfrytëzojë më së miri përfitimet nga sistemet pasive të ngrohjes me energji diellore. Optimizimi i projektit për verën e nxehtë, nga ana tjetër, nënkupton ruajtjen e temperaturave të brendshme të përshtatshme dhe shmangien e përfitimeve të padëshiruara nga ngrohja me energji diellore. Klima e jashtme – në veçanti temperaturat e jashtme dhe rrezatimi diellor i disponueshëm luajnë role kyç në projektimin e planimetrisë së ndërtesës, materialet e ndërtimit dhe detajet”, thuhet në këto dokumente.
Përpos vlerave të larta financiare, ajo çka duket në këtë tender është luksi i shtetarëve tanë për të qëndruar në të tilla ndërtesa, kur dihet mjaft mirë që zyrat që i shërbejnë publikut, janë si mos më keq, pothuajse në të gjitha institucionet.
Duke u ndalur tek ky tender, thuhet se ndërtimi i kësaj ndërtese bazohet edhe në direktivën e BE-së, e cila është duke u aplikuar edhe në vendin tonë nëpërmjet Projekt-ligjit “Për Performancën e Energjisë në Ndërtesa” që përkufizon se “Ndërtesë me performancë afër zero-energji” nënkupton ndërtesat që kanë një performancë shumë të lartë të energjisë, siç përcaktohet në Metodologjinë Kombëtare të Llogaritjes. Kërkesa për konsum energjie shumë të ulët ose pothuajse zero duhet të mbulohet kryesisht nga burimet e rinovueshme të energjisë, duke përfshirë energjinë e prodhuar nga burimet e rinovueshme në ndërtesë, në njësinë e ndërtesës ose pranë tyre.

Projekti i Gjiknurit

Projekt-ideja e ndërtesës së Agjencisë për Efiçencën e Energjisë duhet të jetë me performancë afër zero-energji, dhe për këtë, duhet t’i referohet një treguesi numerik në lidhje me nevojat për burime primare të energjisë, thuhet në këto dokumente.

Artikulli paraprakOST, 5.2 milionë euro borxh arkës së shtetit
Artikulli tjetërPërplasje me armë, plagoset kalimtari në Rrogozhinë