Gjiganti i veshjeve Hugo Boss çon në gjykatë Drejtorinë shqiptare të Markave dhe Patentave

Shoqëria gjermane e veshjeve “Hugo Boss Trade Mark Management GMBH” ka hapur një proces në Gjykatën Administrative në Tiranë kundrejt Drejtorisë së Përgjithshme të Markave dhe Patentave, ku palë e tretë është edhe Avokatura e Shtetit. Kompania gjermane i kërkon gjykatës të shfuqizojë regjistrimin e markës me numër AL/T/2015 me aplikant shoqërinë italiane “Andrea Bossi”. Ankesa e Hugo Boss në Gjykatën e Administrative të Apelit u bë më datën 19 maj. Kompania italiane Andrea Bossi ka kërkuar të regjistrojë markën e saj për artikuj veshjesh, këpucësh, kapelesh. Përfaqësuesi i saj në Shqipëri sipas të dhënave nga Drejtoria e Markave dhe Patentave është Ardit Loloçi me adresë “Rruga e Bogdanëve”. Mirëpo gjiganti europian i veshjeve Hugo Boss ka paditur autoritetet shqiptare për regjistrimin e kësaj marke. Marka është një fjalë, simbol, vizatim, apo kombinim i fjalëve, i frazave, simboleve apo vizatimeve që identifikojnë dhe dallojnë burimin e mallrave të një pale nga ato të një pale tjetër. Përkufizimi i markës së shërbimit është i njëjtë me atë të markës tregtare, me përjashtim që ato të identifikojnë dhe dallojnë burimin e shërbimeve dhe jo produktet. Sistemi i regjistrimit ndërkombëtar të markave rregullohet nga dy marrëveshje ndërkombëtare në të cilat Shqipëria ka aderuar si shtet anëtar: Marrëveshja e Madridit për Regjistrimin Ndërkombëtar të Markave. Legjislacioni kombëtar që rregullon regjistrimin ndërkombëtar të markave përbëhet edhe nga: 1. Ligji Nr. 9947, datë 07.07.2008 “Për Pronësinë industriale” 2. VKM Nr. 1706, datë 29.12.2008 “Për miratimin e rregullores për regjistrimin e markave tregtare dhe të shërbimit” Kreu XV dhe XVI. Kompania Hugo BOSS pretendon se po abuzohet me markën e saj në Shqipëri. Si një grup globalisht aktiv, kompania shet koleksionet e saj në 127 vende në mbarë botën. HUGO BOSS ka zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme shitjen me pakicë në vitet e fundit. Në fund të vitit 2016 Grupi ka operuar 442 dyqane të shitjes me pakicë në mbarë botën. Përveç kësaj, HUGO BOSS shet koleksionet e tij në dyqane brenda dyqaneve. Grupi ka 7,700 pika shitjeje. Në vitin fiskal 2016, 62% e shitjeve të grupit janë realizuar nga pikat e veta të pakicës. Biznesi me shumicë i kontribuoi 35% shitjeve të grupit.

Artikulli paraprakVëzhguesit e zgjedhjeve “mësyjnë” Kosovën
Artikulli tjetërAmbasada amerikane publikon kushtet e reja të aplikimit për vizë