Gjermania do të zgjidhë problemin e interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri

Linja 400 kv e interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri, e cila qëndron jashtë funksioni prej dy vitesh pavarësisht përfundimit të saj, duket se do të hyjë në një fazë të re. Kjo lidhet me zgjidhjen e ngërçit mes Kosovës dhe Serbisë që mban peng vënien në punë të këtij investimi dhjetëra milionë euro. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë bëri me dije se, qeveria gjermane i ka kërkuar Sekretariatit që të marrë rolin e interlokutorit. Roli i qeverisë gjermane nuk është i rastësishëm në kushtet kur vetë banka gjermane KfW ka qenë financuese e këtij investimi.

Më poshtë njoftimi i plotë i Sekretariatit:
Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik (BMZ), i kërkoi Sekretariatit të Energjisë për të lehtësuar negociatat midis Serbisë dhe Kosovë për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis EMS dhe KOSTT. Ministria gjermane është veçanërisht e shqetësuar pasi mosmarrëveshjet po mbajnë peng investimet në sektorin e energjisë në rajon dhe po bllokojnë integrimin e tregut rajonal të energjisë në Ballkanin Perëndimor.
Sekretariati ka ndërmjetësuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis EMS dhe KOSTT edhe më parë, ndërmjetësim i cili rezultoi me nënshkrimin e një marrëveshjeje dypalëshe. Gjithsesi, këto marrëveshje nuk janë zbatuar dhe konflikti ka mbetur i pazgjidhur. Ndërmjetësimi i mosmarrëveshjes midis EMS dhe KOSTT është parashikuar nga programi CONNECTA për tregun rajonal të energjisë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilin Sekretariati e zbaton për llogari të Komisionit Europian.
Sekretariati tashmë do të ndërmjetësojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis dy qeverive.

Artikulli paraprakPlani Schaeuble për të ndihmuar Europën
Artikulli tjetërKronika e një dite të jashtëzakonshme terrori