Gjermania planifikon rihapjen e kufijve vetëm me këto vende…

Gjermania planifikon të heqë ndalesën e udhëtimit për turistët e 31 vendeve evropiane, nisur nga data 15 qershor.

Sipas një propozimi të zbardhur nga agjencia e lajmeve DPA, Gjermania planifikon t’i rihapë kufijtë me të gjitha vendet e BE-së, me Britaninë e Madhe dhe me katër anëtarët e zonës së lëvizjes së lirë, Schengen: Islandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Lihtenshtajnin.

Ashtu, sikurse shihet në hapjen e parë të kufijve mungojnë vende si SHBA, Rusi, apo disa vende të tjera që nuk janë pjesë e BE-së si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Plani pritet të dërgohet të mërkurën për miratim në kabinetin e kancelares gjermane, Angela Merkel.
Gjermania, ashtu sikurse edhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe më gjerë, ka mbyllur kufijtë në mes të marsit, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Sakaq, vendi ka konfirmuar mbi 180,000 të infektuar dhe rreth 8,300 viktima nga pandemia. Numri i relativisht i ulët i viktimave në krahasim me vendet e tjera evropiane, i është atribuar testimit masiv dhe menaxhimit të mirë të sistemeve spitalore që nuk kaluan në kolaps, si në Itali apo Spanjë.

Artikulli paraprakShqiptarët ‘harrojnë’ frikën nga Koronavirusi, ja kush është shqetësimi kryesor tani
Artikulli tjetërItalia drejt shërimit nga koronavirusi