Gjermania nuk fal!

Gjermani ka fituar ndaj Australisë me rezultatin 2-3 në takimin e vlefshëm për Kupën e Konfederatave që është duke u zhvilluar në Rusi. Edhe pse me lojtarë të rinj në përbërje skuadra e Joakin Lëv e ka dominuar sfidën e djeshme. Ka qenë mesfushori Stindl që në minutën e 5 ka hapur serinë e golave për “panzerat”. Kur pritej që skuadra e Lëv të dyfishonte rezultatin sulmuesi australian Rogiç i ka befasuar të gjithë teksa në minutën e 41 ka barazuar shifrat.
Vetëm 3 minuta ka zgjatur festa e Australisë pasi në minutën e 44, Julian Draksel nga pika e bardhë e penalltisë kaloi sërish në avantazh Gjermaninë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-2. Me fillimin e pjesës së dytë ishin përsëri gjermanët që shënuan me anë të mesfushorit të Shalkes, Gorecka në minutën e 48’.
Portieri i Barcelonës Ter Shtegen, i cili mbronte portën e Gjermanisë nuk ishte në ditën e tij më të mirë në këtë sfidë, teksa në minutën e 56’ bën një gabim të pafalshëm duke i dhënë mundësinë Juriç të shënojë golin e dytë që rihapi takimin, por vetëm kaq pasi kombëtarja europiane u tregua e kujdesshme dhe e mbrojti mjaft mirë fitoren 2-3. Në këtë sfidë ishte titullar dhe mbrojtësi me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafi, i cili u aktivizua për 90 minuta.

Artikulli paraprakMeksika shtang në shtesë Portugalinë
Artikulli tjetërLazio kërkon Maxime Gonalons