Gjenden pjesë trupash nga përplasja e destrojerit USS John McCain

Komandanti i Flotës amerikane të Paqësorit, Admirali Scott Swift tha dje se zhytësit kanë gjetur pjesë trupash nga përplasja e destrojerit USS John McCain, me një cisternë. Përplasja që ndodhi të hënën në mëngjes ishte e dyta e këtij lloji në dy muaj, që përfshin një destrojer amerikan me raketa të telekomanduara.
Admirali Swift tha gjithashtu se marina po përpiqet të identifikojë një trup pa jetë të gjetur nga marina malajziane dhe të përcaktojë nëse ai ishte një ndër 10 marinarët amerikanë që rezultojnë të zhdukur. Kërkimi i marinarëve të tjerë të zhdukur vazhdon.
Marina amerikane ka premtuar se do të përpiqet me shumë më tepër agresivitet për të gjetur shkaqet e përplasjes me cisternën pranë ngushticës së Malakës, që rezultoi në një dëmtim të madh të destrojerit USS John S. McCain.
Shefi i Operacioneve Detare, Admirali John Richardson ka dhënë urdhër për një hetim më të gjerë që të shqyrtojë shkaqet themelore për atë që ai e përshkroi si një seri problemesh me flotën detare nga trajnimi dhe ritmi operacional e deri te pajisjet dhe mirëmbajtja.
Përplasja e së hënës është e dyta që përfshin një anije të Flotës së Shtatë të Marinës amerikane në Paqësor brenda dy muajsh. Shtatë marinarë gjetën vdekjen në qershor, kur kryqëzori USS Fitzgerald dhe një konteiner u përplasën në ujërat pranë Japonisë.

Artikulli paraprakRusia shlyen 70 miliardë USD borxhe të Bashkimit Sovjetik
Artikulli tjetërPezullimi i vizave, reagon Rusia