Gënjeshtrat me “borxhin e trashëguar”… Ja e vërteta!

Kastriot ISLAMI

Së pari, duhet sqaruar se termi “borxh i trashëguar” i përdorur me djallëzi nga Rama është spekulativ. Ndodh jo rrallë që për punë të kryera gjatë vitit, për arsye nga më të ndryshmet, mbeten fatura të papaguara, të cilat paguhen në vitin në vazhdim, pasi janë mbyllur të gjithë letrat. Këto quhen “detyrime të papaguara”, pra janë detyrime që duhet në paguhen nga buxheti kur puna ka përfunduar pjesërisht ose plotësisht. Qeverisja e kaluar kishte lënë një faturë të “detyrimeve të papaguara” në vlerën 50 miliard lekë dhe me që në 2013 pati rrotacion pushteti, kjo shumë duhej paguar nga qeveria Rama.
Së dyti, zhurma për këtë “detyrim” u bë shumë e madhe dhe për gjatë të gjithë mandatit. Fillimisht zhurma u bë për madhësinë e saj, e cila u zmadhua disa herë më shumë se ç’ishte. Por më e keqja ishte se kjo alibi vazhdoi të përdorej përgjatë të gjithë mandatit qeverisës. Madje sa herë që pyetej Rama apo ministri i Financave për uljen e shpenzimeve, të investimeve në rrugë apo shkolla, për mos rritjen e pagave e të pensioneve, e tjerë e tjerë, përgjigja ishte: Nuk kemi mundësi se qeveria e mëparshme na ka lënë një borxh të madh që mezi po e lajmë!  Një gënjeshtër e madhe dhe mashtrim në kufijtë e budallallëkut. Si është e vërteta?
1. Shuma e detyrimeve të prapambetura është vetëm 2.78% e të gjithë shpenzimeve
Nëse do t’i drejtoheshim tabelave të buxhetit për vitet 2014-2017, pra për katër vitet e qeverisjes Rama, do të rezultonte nga kolona e shpenzimeve totale, se shifrat për shpenzimet kanë qenë: i) për vitin 2014, 438.82 miliardë lekë, ii) për vitin 2015, 437.408 miliardë lekë; iii) për vitin 2016, 450.224 miliardë lekë dhe iv) për vitin 2017 janë parashikuar 467.199 miliardë lekë, pra në total qeveria Rama ka pasur në dispozicion për të shpenzuar shumën 1.793652 trilion lekë për katër vjet ose afërsisht 18 miliardë dollarë. Ndërkohë sipas shifrave të qeverisë, të rakorduar me kompaninë Deloite & Touch shifra e detyrimeve të prapambetura ka qenë 50 miliardë lekë ose rreth 500 milionë dollarë.  Kjo shumë është vetëm 2.78 për qind e të gjithë shumës që Rama ka pasur në dispozicion për të bërë shpenzime. Pra, kjo shumë kaq e vogël nuk mund të bëhej në asnjë rast pengesë për të kryera shpenzimet e tjera. Vetëm kjo llogaritje e hedh në erë mashtrimin katërvjeçar të Ramës dhe vartësve të tij imitues.
2. Shuma është parashikuar dhe realizuar në buxhetet e viteve 2014 e 2015…
Me ndihmën e Bankës Botërore e të FMN dhe nën orientimin e tyre është bërë “skanimi” i të gjithë detyrimeve të trashëguara nga qeverisja e mëparshme, të cilat kanë qenë i) pagesa të TVSH së rimbursueshme (rreth 70 për qind e vlerës totale) dhe ii) pagesa për punime infrastrukturore. Vlera e tyre del nga zëri “pagesë e detyrimeve të trashëguara” në buxhetet e viteve 2014 dhe 2015. Konkretisht në vitin 2014 janë shlyer 33 miliardë lekë dhe pjesa tjetër prej 17 miliardë lekë është shlyer në vitin 2015, pra e gjithë shuma, sipas të dhënave të buxhetit, është 50 miliardë lekë ose rreth 500 milionë dollarë. Për rrjedhojë Rama duhet të mbyllte gojën dhe të mos fliste më për detyrime të prapambetura në vitet 2016 e 2017 përderisa ato ishin tashmë të ezauruara. Për më tepër, që vlera e tyre përsëris është shumë e vogël në krahasim me shumën që Rama ka pasur në dispozicion për të shpenzuar, vetëm 2,78 për qind e të gjithë shumës së shpenzimeve totale.
3. Detyrimet vjetore të qeverisë Rama për dhjetë vitet e ardhshme janë 72 miliardë lekë…
Përmes të ashtuquajturve “koncensione PPP (Partneritet-Publik-Privat) Rama në fakt ka realizuar 5 tendera për afat 10-15-vjeçar, të cilat ja ka dhënë pa konkurim e në mungesë të plotë transparence ndaj Parlamentit e publikut një grushti miqsh e pjesëtarë të klientelës së tij të ngushtë. Shuma që duhet të dalë nga buxheti për 10-15 vitet e ardhshme është rreth 75 miliardë lekë ose 750 milionë dollarë. Pra, Rama që ankohet çdo ditë për “detyrimet e prapambetura” si pengesë për shpenzime, ka lënë në kurriz të qeverive të ardhshme, për 10-15 vjet një shumë detyrimesh prej 75 miliardë lekë, pra 50 përqind më të lartë sesa ajo që gjeti në shtator 2013.
4. Për 18 miliardë dollarë shpenzime Rama ka rritur vetëm taksat dhe borxhin…
Gjatë katër viteve të qeverisjes Rama borxhi është rritur me 206 miliardë lekë ose me rreth 2.1 miliardë dollarë. Ndërkohë që taksat janë rritur në mënyrë të tillë që në katër vjet kanë pasur një efekt në të ardhurat totale në shumën 147 miliardë lekë ose 1.5 miliardë dollarë. Pra vetëm duke futur duart në xhepat e taksapaguesve përmes rritjes së taksave dhe duke rënduar deri në ekstrem borxhin e tyre, qeveria Rama ka mundur të ketë në dispozicion, 3.6 miliardë dollarë shtesë. Ndërkohë që nuk ka rritur aspak performancën fiskale, pra ka rritur vjedhjet në dogana e tatime dhe ka rritur evazionin fiskal kryesisht ndaj bizneseve pranë qeverisë. Pra, të ardhurat në buxhet janë shtuar, duke qëndruar në rehati dhe duke shtrënguar rripin e bizneseve dhe ulur kurrizin e qytetarëve nga borxhet. Vetëm nga rritja e borxhit dhe rritja e taksave, Rama ka pasur në dispozicion 3.6 miliardë dollarë, ndërkohë që i është dashur të paguajë si detyrime të prapambetura vetëm 500 milionë dollarë ose thënë ndryshe ka mjaftuar vetëm një e shtata e shumës së grumbulluar rritja e taksave dhe rritja e borxhit për të paguar “detyrimet e prapambetura”…
5. Përfundim: Loja me detyrimet e prapambetura është gënjeshtër e mashtrim
Detyrimet e prapambetura janë llogaritur nga qeveria në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe rezulton se vlera e tyre është 50 miliardë lekë ose 500 milionë dollarë. Kjo shumë është vetëm 2.78 për qind e shpenzimeve totale të katër viteve që është rreth 1.793 trilionë lekë ose rreth 18 miliardë dollarë. Kjo shumë është programuar dhe shlyer përkatësisht në buxhetet e viteve 2014 (33 miliardë lekë) dhe 2015 (17 miliardë lekë); për rrjedhojë kjo duhet të konsiderohet një çështje e mbyllur në fund të vitit 2015. Qeveria Rama, përmes koncesioneve të tipit PPP, ka lënë për qeveritë e ardhshme, në 10-15 vitet e ardhshme, një “detyrim” prej 72 miliardë lekë ose 720 milionë dollarë.

Artikulli paraprakDokumenti i Nexhmijes, ishte fashiste
Artikulli tjetërLufta e spiunëve mes Rusisë e Ukrainës