Genc Sejko: Letër e hapur për Kryetaren e Komisionit Hetimor Parlamentar për Koncencionet në Shëndetësi

E nderuar zonja Vokshi!

Ju kam ndjekur me vëmendje vitet e fundit si një denoncuese e zellshme e afera korruptive të qeverisë, sidomos atyre në fushën e shëndetësisë. Së fundmi, pas 6 muajsh betejë në parlament, një nga fitoret e opozitës ishte dhe krijimi i komisionit hetimor për koncensionet në shëndetësi. Meqë do e drejtoni këtë komision dhe duke dashur të kuptoj pak më shumë mbi hajdutërinë në një nga sektorët më delikatë për shqiptarët kam disa pyetje. Për të cilat mirëpres përgjigjen tuaj.

Pse ndryshoi objekti i kërkesës së komisionit hetimor nga 4 në 2 koncensione të shëndetësisë? Në media gjeta të publikuar kërkesën tuaj të tetorit ku përfshihen të gjithë koncencionet në shëndetësi (gjithsej 4) dhe në atë që nis nga puna janë vetëm 2.

Nuk duhet kërkuar shumë për të gjetur se dy koncencionet për të cilët ju keni hequr dorë nga hetimi janë problematikë dhe me dëme disa milionëshe.

1- Shërbimi i Dializës u dha me koncesion në fillim të vitit 2016, për 10 vjet. Fituesi ishte DiaVita me vlerë 8.6 miliardë lekë. Sipas kontratës me qeverinë, DiaVita duhej të ofronte shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan. Në vitin 2019 ky koncension u ble nga grupi Diaverum dhe më vonë u shit i gjithi te M42, një kompani e shërbimeve mjekësore në pronësi të fondit publik të investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mubadala Investment Company.
KLSH vërejti se shpenzimet publike për shërbimin e hemodializës se nga 2016-2022 u rritën me 43%, duke arritur në 2,3 miliardë lekë, por ende pacientët nuk marrin shërbimet e duhura edhe pse është aktivizuar një koncesion i posaçëm për këtë qëllim.

2- Shërbimi i laboratorëve mjekësorë është kontrata tjetër e partneritetit publik-privat në sektorin e shëndetësisë dhe parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve rreth 13 miliardë lekë ose 114 milionë dollarë në 10 vitet e operimit.
Kontrata u fitua nga konsorciumi “Labopharma” me seli në Tiranë, “Exalab” me seli në Francë dhe kompania guackë “AB Laboratory Solution” B.V e regjistruar në Hagë të Holandës dhe po zbatohet prej vitit 2020 nga kompania koncesionare “Laboratory Networks”.

Kontrata PPP e laboratorëve nisi në vitin 2019 dhe përfundon në vitin 2028 me një shumë financimi 13 miliardë lekë pa TVSH.

Ky është një vështrim imi i përciptë i asaj që ka ndodhur me vjedhjet në fushën e shëndetësisë. Dhe kjo vetëm në 2 koncensione për të cilat ju keni hequr dorë ti hetoni në komisionin tuaj.
Zonja Vokshi, keni vendosur të mos i hetoni sepse jeni e bindur që në këto 2 koncensione nuk ka abuzime? Të paktën na e thoni hapur që në koncensionin e dializës dhe në atë të pajisjeve laboratorike (që po hetohet nga Spak) çdo gjë funksionon siç duhet. Apo thjesht këto koncensionet e amnistuara prej jush janë pjesë e ndonjë klienti të preferuar prej jush?

Nuk do doja të paragjykoja askënd, por të vërtetën mendoj se kam të drejtë ta di. Në mos nga ju, nga heshtja juaj do kuptohet më qartë e vërteta!

Artikulli paraprakMe ligjin e ri nuk ka më hetim parlamentar, por thashetheme politike
Artikulli tjetërPD, Kulluri: Lista e hapura dhe vota e emigrantëve, çështje të sistemit demokratik. 3-4 vetë po e çmontojnë në një tryezë pazari