Gati rritja e re me 300 lekë e çmimit të biletave të urbanëve

Bashkia e Tiranës pritet të rrisë përsëri çmimin e biletave të autobusëve urbanë në kryeqytet. Shoqata e Transporteve i ka kërkuar dje publikisht Bashkisë së Tiranës rritjen e çmimit të biletës. Sipas tyre, kjo kërkesë është bërë për shkak të zgjatjes së linjave drejt periferive dhe shtimit të kostove për ta. Kërkesa vjen, pasi ky shpenzim nuk mbulohet nga indeksimi i çmimit të një viti më parë që bëri Bashkia e Tiranës.
“Rritja e fluksit nuk është proporcionale me rritjen e kostos së shërbimit për arsyen e shërbimit, lind nevoja e rishikimit të çmimit të biletës, premtim i kryetarit të Bashkisë, bashkia kërkon rinovim të flotës, por ne kemi kërkuar 10 vite që të marrim financimet e duhura”, tha Alush Lame, kreu i Shoqatës së Transportit.
Po ashtu, Shoqata e Transportit kërkoi rritje të lejes nga 5-10 vite që investimi i tyre të jetë i sigurt. Drejtori i Transportit në Bashkinë e Tiranës ka pranuar problemet me linjat urbane. Transporti në Tiranë, strukturë mikse dhe kaotike, licenca të shumta nga komunat dhe bashkia dhe organizim kaotik dhe miksim i transportit publik me atë privat. Deri në fund të vitit do të vijojë kjo situatë për shkak të rikonceptimit me faza. Linjat janë rikonceptuar me frekuenca orare, autobus me kapacitet të lartë, në përfundim të fazës në fillim të 2017, nr i autobusëve nga 203 në 290 autobusë dhe mjete me kapacitet të lartë”, tha ai. Deklarata e bërë publike për herë të parë dje do të konkretizohet dhe t’i shkojë zyrtarisht kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Bëhet e ditur se, Shoqata e Transporteve do t’i kërkojë Bashkisë së Tiranës rritjen e çmimit të biletës me 300 lekë të vjetra, pra nga 400 që është aktualisht, të bëhet 700 lekë. Po ashtu edhe çmimi i aboneve është kërkuar që të rritet deri në 20 mijë lekë për autobusat një linjëshe dhe 26 mijë lekë aboneja e përgjithshme.
Çmimi i biletave të autobusëve urbanë u rrit më 1 shkurt të këtij viti nga Bashkia e Tiranës vetëm me votat e këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak. Bileta u rrit me 10 lekë, abonetë mujore të një linje u rritën me 75%, pra qytetarët nga 800 lekë që ishte aboneja paguajnë 1400 lekë si dhe është rritur me 50% aboneja e përgjithshme, pra nga 1200 lekë në1800 lekë.
Ndryshimi i çmimeve të biletave ditore dhe mujore të transportit urban janë miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në datën 30 dhjetor 2015 vetëm me votat e këshilltarëve të majtë. Ndonëse çmimi i biletës është rritur, shërbimi i transportit urban në Tiranë është në kushte mizerabël. Sipas qytetarëve, problemet janë nga më të ndryshmet, por kryesorja është fakti se nuk respektohen oraret dhe autobusët ecin shumë ngadalë, sidomos linja e Tiranës së Re, gjithashtu të gjitha linjat janë të mbingarkuara, pasi autobusët tejmbushen me pasagjerë.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërPa dekriminalizim nuk Do të ketë zgjedhje të lira