Gabimet e Renzit, era e të djathtës në të gjithë botën

Aldo Cazzullo, “Corriere della Sera”

Në fund Matteo Renzi e gjeti veten i vetëm përballë të gjithëve. Në fund doli në duel me Zagrebelsky dhe De Mita, sfidoi Grillon dhe D’Alemën dhe nëse Maciste do të ishte shprehur në favor të përgjigjes “jo”, do ta kishim parë Renzin edhe kundër Macistes. Nga Napolitano kishte marrë detyrën e qeverisjes me zotimin se do të bënte refoma institucionale, duke risjellë në tavolinë Berlusconin, duke rimbledhur Partinë Demokratike dhe duke izoluar Grillon.
Por Berlusconi u distancua shpejt nga marrëveshja – siç ka bërë gjithmonë që kur ka hyrë në politikë – e majta, pasi kishte thënë gjashtë herë “po” në Parlament, në fund mbështeti përgjigjen “jo” dhe Grillo nuk ka qenë kurrë më i fortë se tani. Mision i parealizuar, madje i dështuar, përtej çdo parashikimi.
Por, nuk ishte tërësisht e pamundur të parashikohej. Çdo qeveri që ka shpalosur linjën e saj politike përpara zgjedhësve ka marrë përgjigjen “jo”, në çdo kontekst, nga Londra, në Bogota e në Budapest. Gabimi më i madh i Renzit ka qenë personalizimi i referendumit dhe fakti që reformat i ka quajtur “reformat e Renzit”. Duhet theksuar edhe një herë se referendumi nuk ishte i domosdoshëm sepse Kushtetuta italiane nuk e impononte, por e lejon në rast se mungon mazhorancë prej 2/3 e anëtarëve të Parlamentit, në rast se e kërkojnë 1/5 e anëtarëve ose 500 mijë zgjedhës.
Renzi nuk priti as që të ishin kundërshtarët ata që kërkonin votën plebishitare, por e kërkoi vetë, si për t’i dhënë vetes shansin për të fituar edhe ai një zgjedhje politike. Problemi është se Renzi nuk mbrojti punën e tij nga forcat kundërshtare, por kërkoi mbajtjen e referendumit mbi veten e tij, më shumë se mbi reformat.
Presidenti i këshillit ka vepruar sikur të ishte plotësisht në dijeni të asaj çfarë mendonin italianët. Ai ka mbivlerësuar mbështetjen e popullit për të dhe ka nënvlerësuar pakënaqësinë e tyre. Megjithatë, i duhet njohur deri diku merita pasi është përpjekur t’i rikthejë italianëve besimin tek vendi dhe tek e ardhmja e tyre. Megjithatë për tri vite me radhë ka përsëritur të njëjtin diskutim: Italia që bëhet përsëri Itali, Italia që bëhet më mirë se Gjermania, Italia që bëhet lokomotiva e Europës.
Renzi e ka recituar këtë slogan vazhdimisht, por do të duhet të ishte mbështetur edhe nga një ripërtëritje e fuqishme ekonomike, ripërtëritje që nuk ekziston. Renzi mund të pretendojë se e ka nisur rrugën drejt rritjes ekonomike, se ka gjetur një Itali më minus dhe po e lë në plus. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme, të paktën kjo ide u përçua nga shumica e italianëve që votuam në referendum.
I duhet njohur edhe merita se nuk ka humbur kohë, por e ka pranuar menjëherë humbjen. Fjalimet e pranimit të dështimit në fakt i shkojnë shumë: i kishte ndodhur edhe në dhjetor të vitit 2012 kur Bresani e mundi në zgjedhjet paraprake. Perspektiva e hapit mbrapa taktik është e kapërcyer nga faktet. Më realiste është rruga në mes të shkretëtirës, e cila nuk do të jetë e gjatë pasi legjislaturës së tij i ka mbetur më pak se një vit, por një vit i mbushur me rreziqe.
Renzi mund të përpiqet përsëri të ngrihet në këmbë, por do të duhet të vendosë dyfish bast mbi veten e tij. Së pari, në zgjedhjet e reja paraprake të Partisë Demokratike, të cilat nuk do të jenë aq të thjeshta nga sa mendohej pak më parë dhe më pas në zgjedhjet politike, të cilat nuk do të jenë aq të parashikueshme saç mendonte Renzi. “Dua një sistem të zgjedhur me të cilin natën e zgjedhjeve të kuptohet se kush ka humbur e kush ka fituar”, i pëlqente atij të përsëriste.
Por me sistemin proporcional, pothuajse gjithmonë, fitojnë pothuajse të gjithë dhe nuk humbet asnjë plotësisht. A ka ende forca Renzi të shmangë një rikthim të së shkuarës? Bashkëpunimi me Berlusconin është një kartë rezervë që nuk është luajtur akoma apo përfaqëson një dorëheqje që do të duhet të trajtohet nga dikush tjetër?
Do të ketë ditë në dispozicion për t’i diskutuar të gjitha këto çështje. Kush ëndërron një Renzi të zbutet, të reflektojë dhe të mos përzihet, atëherë nuk e njeh mirë si personazh. Ai mund të ndryshojë strategjinë, por jo natyrën e tij. Renzi mund të ketë edhe një shans tjetër, por një fazë e karrierës së tij është mbyllur përfundimisht dhe është mbyllur me një dështim të jashtëzakonshëm.
Jo vetëm që nuk ka arritur të rrëmbejë votat e Grillos apo të kapitalizojë ato të Berlusconit, por pjesëmarrja e madhe në votime që në teori duhet të forconte qeverinë, duket më shumë si një ndëshkim personal kundër kryeministrit. Një gjë është e sigurt: Grillo ka të drejtë të gëzohet. Edhe Berlusconi mund të ndihet tashmë i vetëkënaqur, por gëzimi i së majtës italiane do të jetë shumë afatshkurtër.
Kundërshtarët e Renzit nuk kanë një lider të vërtetë në krye dhe as një kandidat të gatshëm për ta sfiduar. Ata janë të bashkuar vetëm nga mllefi personal kundër uzurpuesit, nga asgjë tetër. Në fund kanë bërë figurë më të mirë Letta dhe Prodi që janë shprehur për rezultatin “po” pa ndonjë entuziazëm të madh, ndryshe nga Bersani dhe D’Alema që u hodhën në sulm për “jo” dhe për të rrëzuar qeverinë e qendrës së majtë, në një kohë kur era e së djathtës është duke fryrë në të gjithë botën.

Artikulli paraprakTrump, paralajmërim për kompanitë amerikane që duan të largohen nga vendi
Artikulli tjetërMedia europiane i jep lamtumirën Renzit