Gabigol: Dua 10-ën e Interit

Pas golit me vlerë 3-pikëshe, shënuar të dielën në transfertën ndaj Bolognas, është rikthyer të flasë sërish braziliani 20-vjeçar Gabriel Barbosa. Sulmuesi tregon për vështirësitë e ambientimit me futbollin italian, duke thënë: “Nuk ishte aspak e lehtë për mua këtu në Milano dhe përveç kësaj edhe ekipi nuk po kalonte një moment të mirë. Ardhja e Piolit na ka dhënë qetësi. Ai më mbështet, këshillon dhe inkurajon vazhdimisht. Mund të them se po arrij të kuptoj më së miri futbollin këtu dhe atë çfarë trajneri kërkon prej meje”, tha Gabigol.
Më tej, braziliani foli edhe për emocionin e golit të së dielës, i cili ishte i pari gol zyrtar i tij me fanellën zikaltër. “Ishte një gol shumë i rëndësishëm për mua, sepse po vuaja shumë ambientimin. Më vjen mirë që ishte një gol me vlera, pasi e di që tifozët dhe shokët e ekipit presin shumë nga unë. U lumturova edhe më shumë kur mësova që edhe Ronaldo ka shënuar golin e parë në Serinë A, pikërisht kundër Bolognas”, tha ai.
Gabigol duket se është i gatshëm për të marrë përgjegjësi më të mëdha te ky Inter dhe thotë: “Jam i gatshëm të luaj më shumë dhe të jap maksimumin. Do të doja shumë të merrja numrin 10 te Inter dhe premtoj se do jap maksimumin për ta nderuar këtë fanellë. Jam i lumtur te Inter dhe do të qëndroj gjatë këtu”. Gabriel Barbosa ishte një nga afrimet më të bujshme të Interit, në këtë merkato verore, por deri tani, akoma nuk ka arritur të justifikojë shpenzimin e bërë për të.

Artikulli paraprakBajerni po luan me zjarrin
Artikulli tjetërStrategjia e Barçës