G7: Assadi duhet të largohet

Shtatë shtetet më të zhvilluara industriale në botë kërkojnë largimin e presidentit të tanishëm të Sirisë. Me Assadin nuk mund të ketë zgjidhje politike, thonë ata. Tillerson shkon në Moskë. Ministrat e Jashtëm të shtatë vendeve më të zhvilluara industriale (G7) janë unike në qëndrimin se për zgjidhjen e konfliktit në Siri, presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad duhet të largohet nga pushteti. Nuk ekziston asnjë zgjidhje politike, e cila do të nënkuptonte mbetjen e Assadit në pushtet, theksoi ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, në kornizat e takimit të G7-ës, në Luka të Italisë. Hapi i parë dhe vendimtar është vendosja e armëpushimit dhe mbikëqyrja e këtij armëpushimi nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Nga Rusia kërkohet bashkëpunim
Njëkohësisht shefat e diplomacive të shtatë vendeve më të zhvilluara – SHBA, Gjermania, Kanadaja, Japonia, Britania e Madhe, Franca dhe Italia – sipas fjalëve të Ayrault, kanë ftuar Rusinë për një bashkëpunim më të ngushtë në zgjidhjen e këtij konflikti dhe përfundimin e luftës qytetare atje. Moska duhet të marrë përgjegjësi dhe jo të tregohet e papërgjegjshme në këtë konflikt, tha ministri i Jashtëm francez. Rusia, Irani dhe milicët e Hezbollahut janë aleatë të regjimit të Assadit.

Gabriel kërkon zgjidhje politike
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel shpjegoi se shtetet anëtare të G7 duan zgjidhje paqësore. “Asnjë vend i G7-tës nuk do të donte që gjendja të shkallëzojë, por të gjendet një zgjidhje politike e konfliktit dhe të përfundojë spiralja e dhunës”, tha Gabriel. Këtë qëndrim ka theksuar në veçanti edhe ministri i Jashtëm amerikan, Rex Tillerson, i cili me këtë mbështetje është nisur në takimin e tij në Moskë me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov. Gabriel angazhohet për përfshirjen e Rusisë në përpjekjet për zgjidhjen politike të konfliktit. “Pa Moskën dhe Teheranin” nuk mund të ketë zgjidhje, thotë Gabriel.

Artikulli paraprakArsenali poshtërohet nga Kristal Palas
Artikulli tjetërA po krijohen struktura paramilitare në Maqedoni?