Fundi i aventurave të Putinit me Obamën

Në fund të muajit dhjetor, presidenti në ikje Barack Obama miratoi sanksione të reja kundër Rusisë për sulmet kibernetike kundër serverave amerikanë që dyshohet të jenë kryer gjatë fushatës presidenciale. Radhët e larta të shërbimeve ruse të inteligjencës, disa organizata dhe figura private u futën në listën e zezë. Më tej, 35 diplomatë rusë u përjashtuan dhe kompanitë e tyre në New York dhe Maryland u mbyllën.
Përgjigjja e parë e autoriteteve dhe shoqërisë ruse kundrejt lëvizjes së Obamës ishte tepër negative dhe e natyrës emocionale. Shumë rusë u shtangën nga vendimi, përfshirë edhe ata që e kuptonin rëndësinë e sanksioneve të mëparshme të imponuara për shkak të vrasjes së avokatit Sergei Magnitsky në burgun e Moskës dhe pas aneksimit të Krimesë.
Administrata Obama nuk ka ofruar asnjë provë të pakundërshtueshme që hakerët rusë janë përfshirë me të vërtetë në ndërhyrjen e procesit zgjedhor të Shteteve të Bashkuara. Më tej, shumë rusë kanë nisur të spekulojnë se, Obama po përpiqej vetëm të vështirësonte jetën e presidentit të zgjedhur Donald Trump, duke pasur parasysh premtimet e tij për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe me Rusinë.
Kjo mund të jetë edhe arsyeja përse presidenti rus ka vendosur të mos kundërpërgjigjet ndaj sanksioneve të reja, pasi sot janë konsideruar vetëm një mënyrë për të vështirësuar sfidën e Trumpit për të normalizuar marrëdhëniet me Moskën. “Ne nuk do të krijojmë probleme me diplomatët amerikanë në kundërpërgjigje të sanksioneve të reja të imponuara”, tha Putin në një deklaratë. “Ne nuk dëbojmë askënd. Nuk do t’i ndalojmë familjet e tyre dhe të kalojnë festat me të afërmit. Për më tepër, ne ftojmë me përzemërsi fëmijët e të gjithë diplomatëve amerikanë në akredituar në Rusi që të kalojnë pushimet me prindërit në Kremlin”.
Putini shkoi edhe më tej duke e uruar Obamën dhe familjen e tij, edhe pse shprehu keqardhje të thellë për lëvizjen e fundit presidenciale të presidentit në ikje. Pa asnjë dyshim, duket se Kremlini e ka ulur tonin e retorikës antiamerikane dhe është bërë më tolerant pasi e konsideron presidentin në ikje si “të dobët” dhe ka në plan të krijojë lidhje të reja me administratën Trump.
Në këtë aspekt, rusët mund të jenë mirënjohës ndaj presidentit Putin sepse i lehtësoi sadopak emocionet e tyre negative. Në fakt, Putini u soll si një politikan me eksperiencë përballë një pengese të re. Në fakt ai u përpoq edhe një herë të tregohej superior ndaj vështirësisë dhe theksoi se kjo ishte një karakteristikë e karakterit kombëtar të Rusisë.
Megjithatë, e gjitha është një strategji e menduar mirë. Rusët nuk duhet të joshen nga ideja se presidenti i tyre është kaq i përulur dhe se Perëndimi është ai që përpiqet të shkatërrojë vendin e tyre në periudhë festash. Nëse situata vlerësohet me sy kritik, realiteti është që Obama ka qenë presidenti ideal për Putinin dhe më i lehti për t’u manovruar. Ai u ngjit në krye të Shtëpisë së Bardhë me aspiratën për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet Amerikës dhe Rusisë.
Vendimi i Obamës për të imponuar sanksionet mund të vihet re si më pak i dëmshëm se fushata paszgjedhore antiKremlin në Shtetet e Bashkuara. Kjo ka ndodhur për shkak se Rusia është shënjestra më e volitshme për forcat politike të të dy krahëve. Ndërkohë që republikanët janë duke përfituar popullaritet nga “kërcënimi rus”, demokratët përpiqen me çdo kusht të fajësojnë “hakerët rusë” dhe sulmet kibernetike për dështimin e tyre spektakolar në zgjedhjet presidenciale.
Realiteti është që Obama e ka gjetur veten në grackë dhe situata e ka detyruar atë të marrë vendime në shumicën e rasteve, ashtu siç ndodhi në fund të dhjetorit me sanksionet e reja kundër Rusisë. Ai nuk mund të mos kundërpërgjigjej përballë aneksimit të Krimesë dhe zgjodhi rrugën më pak të rrezikshme për ta bërë këtë. Qeverisja e presidentit në ikje është karakterizuar nga një pasivitet dhe hezitim i vazhdueshëm, gjë që e ka fuqizuar akoma më shumë presidentin rus.
Në fakt ka qenë pikërisht hezitimi kronik i Obamës dhe tendenca e tij për të menduar në vend që të vepronte, ajo që e ka shtyrë Putinin të kapë mundësinë për të ushtruar një politikë të jashtme imponuese me ankesimin e Krimesë dhe më pas me lëshimin e ndërhyrjes ushtarake në Siri, duke mos hasur asnjë pengesë domethënëse nga administrata Obama.
Ky qëndrim pasiv i presidentit në ikje e ka kthyer Putinin në një prej politikanëve më influencues të botës. Falë këtij publiciteti global, Putini pati mundësinë të qëndronte në pushtet dhe të fitonte një normë mbështetjeje të madhe në vend, pavarësisht krizës ekonomike të viteve 2014-2015. Kështu, rusët duhet të falënderojnë Obamën, rëndësia e të cilit u eklipsua plotësisht nga qëndrimi i pushtetshëm i Putinit.

Artikulli paraprakLamtumira e Obamës
Artikulli tjetër9 viktima nga i ftohti në 5 ditë, 4 vetëm dje