Frikë nga Neymar

Mbrojtësi i Real Madridit, Dani Carvajal, ka thënë se nuk ka “formulë magjike” për ta ndalur Neymarin dhe shpreson që ylli brazilian i PSG-së do të ketë një ditë të keqe në Europë, kur të luajë të mërkurën në “Santiago Bernabeu”. Neymar vjen si një kërcënim i madh për Real Madridin, pasi parisienët po përgatiten ta vizitojnë kryeqytetin e Madridit për ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve, raundi i 1/8 finale. Carvajal, i cili është pezulluar për përplasjen e parë, pranon se ekipi i tij thjesht duhet të shpresojë që braziliani ndërkombëtar të jetë nën nivelin më të mirë të tij. “Për të luajtur kundër Neymar, nuk ka formulë magjike, tha ai nëpërmjet “AS”. Ju vetëm shpresoni që të mos jetë në ditën më të mirë. Unë e shpresoj këtë për të mërkurën”.
Duke qenë i zhbilancuar në La Liga këtë sezon, Liga e Kampionëve do të jetë shansi i fundit i Real Madridit, për të marrë një tjetër trofe në këtë fushatë. Carvajal këmbëngul se nuk ka të preferuar për ndeshjen ndaj PSG-së, edhe pse parisienët “fluturojnë lart” në Ligue 1. “Nuk ka asnjë të preferuar në një betejë të tillë. Fazat e eliminimit janë shumë të njëjta, ato vendosen nga detajet e vogla, sqaroi ai. Ne do të përpiqemi të mos kryejmë ndonjë gabim dhe ta kalojmë turin në mënyrën e duhur”.
Në tetor 2011, Autoriteti i Investimeve të Katarit pagoi rreth 55 milionë euro për të blerë 70% të PSG-së. Nasser Al-Khelaifi u emërua pastaj president i ekipit. Në sezonin 2012-2013, parisienët u kualifikuan në Ligën e Kampionëve, për herë të parë, pas shtatë sezoneve. Që atëherë, ata gjithmonë kanë shkuar deri në çerekfinale, përveç sezonit të kaluar, kur u rrëzuan në raundin e dytë kundër Barcelonës. Nëse Real Madridi luan sezonin në këtë ndeshje, në Francë thuhet se PSG-ja luan një pjesë të madhe të projektit. Neymar, emblema e madhe e klubit, nuk ka frikë nga sfida: “E di që ne kemi potencial për të bërë një edicion të shkëlqyer në Ligën e Kampioneve. Ky kompeticion është shumë i rëndësishëm në historinë e një klubi, edhe për një lojtar. Unë kam ardhur këtu për këtë trofe, për të hyrë në histori, për të bërë më të mirën me PSG-në. Ne shpresojmë për një lojë të mrekullueshme, Madridi na motivon maksimalisht”.
Sidoqoftë, në Paris ka pasiguri. Një sondazh i opinionit nga “Odoxa” për “RTL” tregon mosbesimin e francezëve te PSG-ja. Vetëm 36% e shohin ekipin parisien në çerekfinale të Champions-it. Ky studim, i kryer mes të mërkurës, 7 shkurt dhe të enjtes, 8 shkurt, me një “mostër” prej 982 personash, që përfaqësonin popullsinë franceze mbi 18 vjeç, përfshinte 371 tifozë të futbollit. Për ndeshjen në “Bernabéu”, 41% e francezëve shohin fitore të Real Madridit, 36% parashikojnë një barazim dhe vetëm 19% vënë bast për triumfin e PSG-së. Ndër tifozët e futbollit, rezultati i anketës është i ngjashëm: 43% janë për Real Madrid, 31% për barazimin dhe 26% për PSG-në. Neymar është lojtari më i çmuar në këtë sondazh të opinionit, në mesin e njerëzve që nuk kanë deklaruar pasionin për futbollin (28%), ndërsa për tifozët më të votuar ishte Mbappé (30%), në vend të brazilianit (22%).
Ky opinion është pasqyruar edhe nga ish-lojtari i PSG-së dhe “Les Bleus”, Lizarazu: “Neymar ka një jetë si yll rroku. Mënyra e tij për të përgatitur një ndeshje në Madrid ka qenë shumë ndryshe nga ajo që bëjnë Cristiano Ronaldo apo Leo Messi”. Ndërkohë, Rabiot përpiqet ta transferojë presionin tek ekipi i bardhë: “Nuk kemi shumë presion. Ne e dimë se është një ndeshje e rëndësishme për ne dhe për klubin, por presioni është mbi ta”. Marquinhos, nga ana tjetër, tregon dëshirën e dhomës së zhveshjes për këtë sfidë: “Është një provë e mirë për PSG-në, për projektin dhe ne presim një ndeshje të tillë”. Di Maria paralajmëron ish-ekipin e tij: “PSG-ja është më e fortë se vitin e kaluar. Ne vetëm kemi nevojë për pak fat…”.

Artikulli paraprakValverde: Barcelona duhet të djersijë ende për titullin
Artikulli tjetërMesi rrumbullakosi 300 ndeshje