Frika nga ligji antimafia në Kosovë

Ka afro gjashtë vite që kur në Kosovë u iniciua Ligji “antimafia”, me të cilin do të rregullohej çështja e përfitimeve të pasurisë në mënyrë të paligjshme, por i njëjti mbeti vetëm një ide. Ligji “antimafia” u iniciua në vitin 2010 nga, atëbotë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi. Të njëjtin e kishte rekomanduar edhe Komiteti Kombëtar i Politikës së Jashtme amerikane. Por, mungesa e vullnetit politik për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në Kosovë dhe frika e ballafaqimit me njerëz që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme, thuhet të këtë ndikuar mbi autoritetet kompetente, të cilat i kanë “neglizhuar procedurat e hartimit të ligjit “antimafia”.  Zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, të kontaktuar nga Radio “Evropa e Lirë”, nuk kanë dhënë përgjigje se deri ku kanë arritur procedurat lidhur me ligjin në fjalë. Megjithatë, zyrtarët e Qeverisë se Kosovës, vazhdimisht kanë deklaruar se pavarësisht që nuk ekziston ligji “antimafia”, është “Ligji për Zgjerimin e Kompetencave për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Vepër Penale” që sipas tyre kryen funksionin e njëjtë. Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion “Evropa e Lirë”, ligji antimafia, ka kohë që përmendet nga qeveria, por ai ende nuk është proceduar për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës. “Për vite radhazi qeveritë e ndryshme dhe kjo e tanishmja kanë premtuar se shumë shpejt do të sillet Ligji “antimafia” në Kuvendin e Kosovës, por në fakt kjo nuk ka ndodh për shkak të vullnetit politik dhe arsyes tjetër kryesore që është se njerëzit e korruptuar asnjëherë nuk mund ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin”, thekson Haxhiu. Deputetja Haxhiu, e cila i takon subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, thotë se, në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës kishin propozuar një projektligj për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajusfitikueshme, por që si i tillë ishte kundërshtuar, siç thekson Haxhiu nga ministri, i atëhershëm, i Drejtësisë Hajredin Kuçi. “Kjo dëshmon faktin se, as Partia Demokratike e Kosovës dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës nuk janë të interesuara ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe për këtë arsye dua të them se derisa kemi në qeveri njerëz të cilët janë të përfshirë në afera korruptive nuk mund të ketë luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thekson Haxhiu. Për përfaqësuesit e Shoqërisë Civile, ndërkaq Kosova ka legjislacion të mjaftueshëm që mundëson luftimin e pasurive të paligjshme, por, thonë ata, nuk ka vullnet që të zbatohet ky legjislacion në fuqi. Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë për Radion “Evropa e Lirë” se nuk ka pasur asnjëherë vullnet që të zbatohet korniza ligjore aktuale, as nga ana e prokurorëve dhe as e gjykatësve. “Përveç Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, sot, eksiton edhe Ligji mbi kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, ligj ky i cili pothuajse asnjëherë nuk është përdorur nga ana e prokurorëve dhe kjo tregon se ka mungesë të vullnetit për të luftuar pasuritë e paligjshme. Rrjedhimisht për të luftuar kriminelët, të cilët i kanë krijuar këto pasuri duke zhvatur buxhetin publik dhe buxhet tjetër përmes veprimtarive kriminale”, thekson Musliu.

Artikulli paraprakGrushti i shtetit, arrin ne 260 numri i të vdekurve
Artikulli tjetërKriza, biznese borxhe edhe për shpenzimet e përditshme