Fotoja 80 mijë dollarëshe e Ramës me paratë e drogës

Prej tre ditësh PD vijon të ngrejë pyetje konkrete në drejtim të Ramës për foton 80 mijë dollarëshe me Presidentin Obama, por si përgjigje ka marrë heshtjen kryeministrore. Nënkryetari i PD, Paloka deklaroi dje se dyshimet janë se paratë që i janë garantuar Ramës për të siguruar shtrëngimin e duarve me Presidentin Obama të jenë para të drogës.
“Prej një jave Edi Rama gjendet nën akuzë se ka financuar një krim federal në Amerikë dhe ai nuk jep asnjë shpjegim.
Bilal Shehu, taksisti i New Jersey e ka pranuar se 80 mijë dollarëshi që ka paguar në fushatën e Obamës, për t’i mundësuar Ramës një takim dhe një foto me Presidentin amerikan, i ka ardhur nga jashtë. Nga një burim i huaj. Nga Shqipëria.
Edi Rama është nën detyrim të bëjë transparencë, se nga dolën këto para. Kush është burimi i tyre?
Dyshimet janë për para droge ose aktiviteti kriminal, çka e rëndon edhe më shumë pozitën e Edi Ramës në këtë skandal.
Nëse ato janë para droge dhe trafiqesh, paratë e atyre trafikantëve me të cilët Rama erdhi në pushtet, kemi të bëjmë me një krim edhe më të madh, dhe çështja duhet zbardhur sa më shpejt.
Edi Rama është përfituesi i drejtpërdrejtë i 80 mijë dollarëshit që u pagua nga një burim i huaj.
Dhe është ai që duhet të përgjigjet:
Nga vijnë këto para? Kush është burimi? Kush është pagatori, kush është ky donator i Edi Ramës? A janë para të ligjshme apo të aktiviteteve kriminale? Sa më shumë struk kokën e nuk përgjigjet për këto pyetje, aq më shumë rëndohet akuza ndaj tij, aq më shumë bëhet e besueshme se Edi Rama financoi një krim federal në Amerikë me para të pista”, shpreh Paloka.

Brenda tre javësh Prokuroria do të vendosë

Prokuroria shqiptare do të vendosë rreth fundit të korrikut nëse do të ngrejë padi kriminale ndaj Kryeministrit Edi Rama, pas kallëzimit të bërë nga opozita se ai ka shkelur 3 ligje duke financuar në mënyrë të paligjshme 80 mijë dollarë për fushatën e Presidentit Obama në vitin 2012, me qëllim që të bënte një foto me të.
Albi Serani, zëdhënësi i prokurorit të Përgjithshëm i tha “BIRN” se sipas procedurës, nevojitet rreth një muaj për të verifikuar kallëzimin.
“Gjatë kësaj kohe prokurorët do të duhet të vendosin nëse ka elementë kriminalë dhe nëse do të hapin hetime apo jo”, shpjegoi ai.
Partia Demokratike e ka kallëzuar penalisht Kryeministrin se ka financuar 80 mijë dollarë nëpërmjet një biznesmeni grek dhe shqiptaro–amerikanit Bilal Shehu për të marrë pjesë në një takim elektoral të Presidentit Obama në San Francisko dhe për të bërë një foto me të.
Një gjykatë në Nju Xhersi e shpalli fajtor Bilal Shehun, pasi ai pranoi se i kishte marrë paratë për të siguruar hyrjen në takim të një shtetasi shqiptar në tetor të vitit 2012. Ai pranoi se shtetasi shqiptar nuk ishte lejuar të hynte në takim, pasi e ndalonte ligji elektoral amerikan, por kishte bërë një foto me Presidentin Obama.
Autoritetet amerikane nuk kanë publikuar emrin e shqiptarit, por opozita në Shqipëri thotë se të gjitha të dhënat të çojnë tek emri i Kryeministrit Edi Rama, në atë kohë kryetar i opozitës. Ai e përdori foton me Obamën për fushatë elektorale dhe një media amerikane shkruajti fillimisht se për këtë foto Rama kishte paguar 80 mijë dollarë nëpërmjet Bilal Shehut.
Hetimet e FBI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zbuluan se Shehu i kishte marrë paratë në fund të shtatorit 2012 me transfertë bankare për të blerë dy bileta për një aktivitet për mbledhje fondesh për Presidentin Obama. Biletat ishin në emër të tij dhe të bashkëshortes. Bileta e bashkëshortes është përdorur për shtetasin shqiptar që bëri foton me Obamën, sipas zbulimeve të FBI.
Shehu do të njihet me dënimin më 5 tetor. Ai rrezikon të dënohet me 5 vjet burg dhe 250 mijë dollarë gjobë.
Zyra e Kryeministrit Rama i ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se nuk ka bërë asnjë financim të paligjshëm në fushatën e Presidentit Obama dhe se vetë Rama nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet elektoral të Obamës. Më herët, në një intervistë në “Top Story”, Rama kishte pranuar se foton me Presidentin Obama e kishte bërë në të njëjtin aktivitet për të cilin po hetohet Bilal Shehu.
Opozita thotë se Rama ka shkelur tri ligje në Shqipëri dhe ligjin federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për shkelje të ligjit federal akuza ndaj Ramës pati edhe nga kongresmeni amerikan, Danna Rohrabacher, i cili ishte i pari që i kërkoi FBI–së të hetonte rastin e fotos së Ramës me Presidentin Obama dhe të financimit të bërë nga Bilal Shehu, që në mënyrë të paligjshme kishte dërguar në takimin për mbledhjen e fondeve një shtetas shqiptar.

Artikulli paraprakPolicia, atentat të riut për t’i faturuar grabitjen
Artikulli tjetërFaqja e parë