Forcimi i monedhës së lekut

Leku ka ndjekur ecuri mbiçmuese gjatë vitit 2016. Monedha vendase ka shfaqur ecuri mbiçmuese kundrejt monedhave të vendeve partnere gjatë vitit 2016. Kursi euro/lek rezultoi mesatarisht 137.4 gjatë këtij viti, me një mbiçmim vjetor prej 1.7%. Ky mbiçmim u diktua nga rritja e ofertës së valutës, analizoi Banka e Shqipërisë për zhvillimet në kursin e këmbimit më 2016. Përveç kësaj, kursi euro/lek në tregun vendas ka pasqyruar gjithashtu një pjesë të dinamikës së kursit eur/USD në tregun ndërkombëtar, vlerëson Banka. Kështu, forcimi i dollarit amerikan në tregun ndërkombëtar, është reflektuar vetëm pjesërisht në kursin USD/lek, duke ndikuar në nënçmimin e monedhës evropiane kundrejt lekut. Sipas Bankës së Shqipërisë përgjithësisht, ecuria e kursit USD/eur në tregjet ndërkombëtare reflektohet kryesisht në kursin dollar/lek në vend.Ndryshimet vjetore të vlerës së USD në lekë në tregun vendas janë pranë atyre të vlerës së USD në euro në tregun ndërkombëtar. Në vitet 2013-2015, diferenca mes tyre është 0.1pp. Në vitin 2016, kjo diferencë është rritur në 1.7 pikë përqindje. Kursi USD/lek rezultoi mesatarisht 124.1 gjatë vitit 2016, me një mbiçmim të lekut prej 1.4%. Në tregun ndërkombëtar, monedha e gjelbër u mbiçmua mesatarisht me 0.3% kundrejt monedhës europiane. Leku është mbiçmuar gjithashtu edhe kundrejt monedhave të dy vendeve të tjera partnere tregtare, renminbisë kineze dhe lirës turke. Kjo ecuri ka reflektuar më së shumti nënçmimin e fortë të këtyre dy monedhave kundrejt dollarit amerikan. Sipas matjeve efektive, leku shënoi një mbiçmim mesatar vjetor prej 3.2% në terma nominalë dhe prej 3.7% në terma realë.

Artikulli paraprakBetonizimi i Tiranës, Veliaj katërfishon lejet e ndërtimit
Artikulli tjetërThellohet afera CEZ, qeveria i fal edhe 50 milionë euro taksa të tjera