FMN paralajmëron thellimin e krizës ekonomike

Zgjedhjet e vitit të ardhshëm mund të shndërrohen në një rrezik potencial për situatën ekonomike në vend. Në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar theksohet se, angazhimi i autoriteteve të qeverisë për të vijuar reformat e nisura mund të vihet në provë, pasi ato kërkojnë vullnet politik për t’u zbatuar çka do të thotë se në prag të zgjedhjeve shembujt kanë treguar se ky vullnet ka qenë i dobët. FMN sugjeron që të mbahet në vëmendje mbledhja e të ardhurave dhe zgjerimi i bazës së taksapaguesve. Situata ekonomike e Shqipërisë mund të përkeqësohet për shkak të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, kjo renditet si një prej risqeve kryesore të ekonomisë në vend. Sipas FMN-së, tensionet politike në prag të zgjedhjeve mund të venë në provë angazhimin e autoriteteve për kryerjen e reformave dhe konsolidimin fiskal. Mbledhja e të ardhurave, thuhet në raport, kërkon një vullnet të qëndrueshëm politik dhe i gjithë sistemi mund të vihet në pikëpyetje për shkak të kapaciteteve teknike dhe administrative. Përtej vlerësimeve për reformën në sektorin energjetik, Fondi Monetar Ndërkombëtar, thekson se ky sektor mbart një sërë rreziqesh të lidhura me varësinë e tij nga faktori natyror që kërkon parashikime në terma afatmesëm. FMN rekomandon që qeveria të vijojë punën me rregullimet fiskale, të rrisë mbledhjen e të ardhurave. Të ulë borxhin publik dhe të zgjerojë bazën e taksueshme. Në raport këshillohet që edhe Banka e Shqipërisë të vijojë punën për të nxitur kreditimin në vend, duke u përcaktuar si e vetmja mundësi për rimëkëmbjen ekonomike si dhe të gjendet sa më parë një zgjidhje për nivelin e kredive të këqija.

Artikulli paraprakOSHEE importoi 4.8 milionë euro energji këtë muaj
Artikulli tjetërPD: Rrjeti i blerjes së votave në çdo qendër votimi