Flet Bazdarevic e Pavloviç: Shqipëria prova e vërtetë!

Është vetëm një ndeshje miqësore, por në kampin boshnjak e vlerësojnë maksimalisht sfidën e së martës në “Elbasan Arena” ndaj Shqipërisë. Trajneri Mehmed Bazdareviç dhe mbrojtësi Daniel Pavloviç në një prononcim për mediat boshnjake nga stadiumi “Selman Stërmasi” e cilësuan sfidën ndaj kombëtares kuqezi si një bankë të vërtetë prove për Bosnje Hercegovinën, për sfidën e radhës kualifikuese ndaj Greqisë. Suksesi me shifrat e thella 5-0 ndaj Gjibraltarit i ka shërbyer skuadrës për t’u rritur moralisht, por për trajnerin Bazdareviç sfida më e rëndësishme e muajit mars është ndaj Shqipërisë.
“Ashtu si çdo ndeshje tjetër miqësore, kjo sfidë ka një rëndësi të madhe për momentin ku jemi, por edhe për atë që na pret më pas. Do të bëjmë gjithçka për të luajtur mirë, por rezultati nuk është në plan të parë. E dimë në fakt që do të përballemi me një kundërshtar shumë të fortë dhe për ne nuk do të jetë aspak e lehtë”, tha trajneri i Bosnje Hercegovinës.
Bazdareviç vlerësoi lojtarët e rinj që luajtën ndaj Gjibraltarit, duke theksuar se duhet të vazhdojnë kështu. Daniel Pavloviç mbrojtësi i krahut të majtë që luan për Sampdorian në Serinë A, në moshën 28-vjeçare debutoi me Bosnjen pikërisht në sfidën ndaj Gjibraltarit. Edhe ndaj Shqipërisë ai parashikohet titullar teksa do të zëvendësojë në krahun e majtë të prapavijës, anësorin e Schalkes, Kolasinaç, i cili do të ulet në stol, pasi është skualifikuar për ndeshjen e radhës ndaj Greqisë. Pavloviç e njeh shumë mirë forcën e kombëtares dhe pret një duel të ndërlikuar në “Elbasan Arena”.
“Shqipëria është një skuadër që mund të të hapë probleme në çdo moment. Ndaj Italisë ata zhvilluan një futboll të bukur, duke luajtur mirë. Për ne kjo është prova e vërtetë e forcës përpara sfidës ndaj Greqisë”, përfundoi ai.

Artikulli paraprakAbrashi feston ditëlindjen
Artikulli tjetërKërcënon De Biasi