Financieri i Habilajve u ekstradua kur po bëhej i penduar i drejtësisë

Ekstradimi i financierit të bandës së Habilajve, Nezar Seiti drejt Italisë u bë një ditë pasi Gjykata pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda vendosi të zgjasë me 3 muaj të tjerë afatet e hetimit ndaj tij dhe ish-ministrit Saimir Tahiri. Largimi i menjëhershëm i Seitit u bë me urdhër të Ramës për të mbyllur përfundimisht dosjen Tahiri.
Ish-kryeministri Berisha shkruan në një postim në Facebook se, financieri i bandës Habilaj-Tahiri u ekstradua, sepse po bëhej i penduar i drejtësisë! “Të dashur miq, pas zgjedhjes së tij si kryegjykatës dhe kryeprokuror, kreu i meduzës dhe mafies në Shqipëri veproi me shpejtësi të rrufeshme. Ai liroi Sotën, që në makinën e tij së bashku me Tahirin transportonin miliona euro, para krimi, i ktheu me urgjencë pashaportën Tahirit, liroi nga burgjet kriminelë të rrezikshëm ndërkombëtarë dhe ekstradoi, duke keqshfrytëzuar ndrikull Gjonajn, financierin e bandës Habilaj – Tahiri, i cili i kishte dhënë vetëm këtij të fundit miliona euro nga trafiqet e bandës së tij”, shkruan Berisha.
Ish-kryeministri Berisha shkruan më tej se, largimi me urgjencë nga Shqipëria i financierit u bë, sepse ai kishte dhënë shenja të qarta se dëshironte të bëhej i penduar i drejtësisë. “Duke ekstraduar financierin e bandës Habilaj-Saimir Trafiku, i cili po pranonte të bëhej i penduari i drejtësisë, kryegjykatësi dhe kryeprokurori mbylli përfundimisht dosjen e tyre!
Ky është një akt tjetër kriminal, për të cilin në mungesë të plotë të hetimit dhe drejtësisë duhet të marrë përgjigjen e merituar vetëm e vetëm nga revolta masive popullore e 27 janarit, tik-taku i orës së të cilës po afron!”, përfundon ish-Kryeministri Berisha.
Procedimi penal ndaj Nezar Seitit ka nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në të njëjtën kohë me procedimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ndërsa ekstradimi i Seitit u bë të enjten, një ditë pasi Gjykata, pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, vendosi të zgjasë me 3 muaj të tjerë afatet e hetimit ndaj tij dhe ish-ministrit Saimir Tahiri.

Prokuroria dhe Ministria, përplasje deklaratash

Një ditë pas ekstradimit të Nezar Seiti drejt Italisë, ka reaguar Prokuroria e Përgjithshme. Zyra e Shtypit e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme ka njoftuar se do të nisin verifikimet mbi procedurat e ndjekura për ekstradimin e Seitit, i njohur ndryshe edhe si financieri i grupit të Habilajve për trafikun ndërkombëtar të drogës.
Ky reagim i Prokurorisë së Përgjithshme vjen pas atij të Ministrisë së Drejtësisë një ditë më parë. Dhe po t’i referohemi njoftimit të Ministrisë mbi këtë procedurë, rezulton se Prokuroria e Përgjithshme duhet të verifikojë veten.
Ministria e Drejtësisë në sqarimin e saj shprehet se ishte njoftuar nga Prokuroria e Përgjithshme, se nuk kishte asnjë ndalesë ligjore për ekstradimin e Seitit. Por ndaj Seitit kishte një masë sigurimi arrest me burg nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe e Apelit të Krimeve të Rënda, të marra përpara se Gjykata e Tiranës të shprehej me vendim për ekstradimin.
Gjithsesi, verifikimi i Prokurorisë pritet të zbresë edhe tek Ministria e Drejtësisë si dhe tek institucionet në varësi të saj, Drejtoria e Burgjeve dhe Paraburgimi 313. Sepse edhe juristët e këtyre institucioneve kanë lejuar daljen nga qelitë e paraburgimit të një personi që ndodhej me masë ndaluese në fuqi.
Largimi me urgjencë i financierit të trafikut të drogës së Habilajve drejt Italisë është ndër rastet e paprecedentë në drejtësinë shqiptare, ku një i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ekstradohet drejt një vendi tjetër pasi është hetuar më parë nga Prokuroria shqiptare.

Artikulli paraprakManjani: Arta Marku në siklet, do verifikojë mungesën e verifikimit?!
Artikulli tjetërTahiri në skaf me Habilajt