FBI rihap hetimet ndaj Hillary Clinton

Kreu i FBI-së tha të premten se agjencia po rihap hetimin mbi përdorimin e serverit privat të e-mail-eve nga Hillary Clinton.
Në një letër dërguar drejtuesve republikanë në Kongres, drejtori i FBI-së, James Comey tha se, agjencia ka mësuar për ekzistencën e e-mail-eve që duket të kenë lidhje me hetimin. Ai tha se hetuesit po shqyrtojnë materialet për të përcaktuar nëse ato përmbajnë informacione të klasifikuara dhe për të vlerësuar rëndësinë e tyre lidhur me hetimin e FBI-së.
Drejtori tha se nuk mund të parashikojë sesa kohë do të dojë hetimi të përfundojë. Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentojë lidhur me zhvillimin.
Hillary Clinton, e cila është kandidatja demokrate për presidente, është ndjekur nga pyetjet lidhur me përdorimin e e-mail-it privat në vend të atij qeveritar. FBI kreu një hetim lidhur me e-mail-at në vitin 2015, por në korrik arriti në përfundimin se nuk kishte baza për të ngritur akuza kundër zonjës Clinton.
Në atë kohë, Comey tha se zonja “ishte jashtëzakonisht e pakujdesshme në trajtimin e informacioneve të klasifikuara”.
Kritikët thonë se ajo po përpiqej të fshihte komunikimet e saj nga Akti për Lirinë e Informacionit.
Njoftimi i FBI-së vjen më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale.

Artikulli paraprakOSBE e shqetësuar për Reformën Zgjedhore
Artikulli tjetërHeshtni o bastardë se nuk ju lejon kush t’i vrisni për së dyti pas 73 vitesh