“Fatima”, si arritën hetuesit italianë të zbulojnë lidhjet e Tahirit dhe krerëve të policisë me bandën e Habilajve

“Fatima” është emri që fundosi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe zbuloi shefat më të fuqishëm të Policisë së Vlorës, të cilët tashmë janë në kërkim për bashkëpunim me narko-trafikantët Habilaj.
Si arritën hetuesit italianë të zbulonin bashkëpunimin e bandës së Habilajve me ish-ministrin Tahiri dhe drejtues të rëndësishëm të Policisë shqiptare?
Moisi Habilaj, kapoja i bandës së narko-trafikantëve, gjatë udhëtimit me peshkarexhën “Fatima”, i mburrej një bashkëpunëtori të tij italian se ai kishte nën kontroll Policinë e Vlorës dhe kjo e lehtësonte punën e tyre për trafikimin e lëndës narkotike. Ajo që nuk dinte Moisiu, ishte fakti që autoritetet italiane ndiqnin në kohë reale bisedat e tyre.
Një pjesë e të dhënave nga ky përgjim janë bërë publike tashmë. Por, “Boldnews.al” ka mësuar se, në pjesën e papublikuar, e cila është tashmë në duart e Prokurorisë për Krime të Rënda, të dhënat janë më konkrete për përfshirjen e zyrtarëve të policisë.
Prokurorët e Katanias kishin krijuar bindjen se Habilajt kishin mbështetjen e ministrit të Brendshëm të asaj kohe dhe të shefave të Policisë në Vlorë.

Por ata nuk arritën të identifikonin me emër konkret shefin e policisë që kishte lejuar trafikun e kanabisit.
Arsyeja ishte shumë e thjeshtë: autoritetet italiane kishin zgjedhur të mos bashkëpunonin me Policinë Shqiptare, pasi kishin kuptuar se Habilajt kishin mbështetje të fortë në radhët e forcave të rendit në vendin tonë.
Vetëm në përfundim të hetimeve të tyre, në tetor 2017, ata nisën bashkëpunimin me agjencitë shqiptare. Në bazë të të dhënave që ata ofruan, Prokuroria për Krime të Rënda arriti të identifikonte me emra konkret drejtuesit e Policisë, të cilët kishin krijuar të gjitha lehtësitë e nevojshme që Habilajt të trafikonin tonelata kanabis.
Nga hetimet rezulton se, në maj të vitit 2015, Sokol Bode ka qenë me detyrë shef stacioni i Policisë Kufitare në Dhërmi. Në këtë periudhë, në Dhërmi është ngarkuar dhe më tej është trafikuar drejt Italisë një ngarkesë me rreth 880 kg kanabis, në bordin e peshkarexhës “Fatima”.
Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se Bode u ka dhënë mbështetje të plotë, garanci, siguri dhe bashkëpunim anëtarëve të grupit kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike të ngarkura në Dhërmi, Vlorë e më pas të trafikuar në Itali, ku janë gjetur dhe sekuestruar nga autoritetet policore italiane.

Bode rezulton se ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me pjesëtarët e bandës, vëllezërit Moisi, Artan dhe Florian Habilaj.
Më tej, të dhënat hetimore shkuan gjithnjë e më lart. Autoritetet italiane kuptuan se lidhjet e Habilajve arrinin deri në persona me pushtet të madh në Policinë e Vlorës. Pas bashkëpunimit me prokurorët shqiptarë, duke nisur nga mesi i tetorit 2017, hetimet identifikuan edhe zyrtarë të tjerë policorë, bashkëpunëtorë të Habilajve.
Në krye të kësaj piramide dyshohet se qëndron Jaeld Çela. Prokurorët kanë krijuar bindjen se ish-drejtori i Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me punonjësit e policisë Gjergji Kohila, Sokol Bode dhe punonjës të tjerë policie kanë mbështetur, garantuar e bashkëpunuar me anëtarë të grupit “Habilaj” për kultivimin e bimëve narkotike e më pas trafikimin e saj drejt Italisë.
I pari që ra në “rrjetën” e Prokurorisë së Katanias ishte komisar Sokol Bode. Ky ishte shef i Postës Policore të Dhërmiut, në vitin 2015, në kohën kur nga ky territor u nis peshkarexha “Fatima”, në të cilën u gjetën 880 kg kanabis.

HABILAJT 1Pas tij, u krijua harta e plotë e bashkëpunëtorëve të Policisë në trafikun e narkotikëve. Në krye të këtij rrjeti, të veshur me pushtet policor, qëndronte Jaeld Çela, njeriu kyç i Saimir Tahirit, drejtori i Policisë së Vlorës.
Çela bashkëpunonte ngushtë me Gjergj Kohilën, shef i Antidrogës në Vlorë, pikërisht njeriu që kishte për detyrë të zbulonte dhe godiste trafiqet. Lista e zyrtarëve të policisë është më e gjatë se sa ajo që tashmë është bërë publike.

Artikulli paraprakBerisha: Gjykatësi Lulo, kryegjykatësi Rama, zonja e tij dhe dhurata bujare 100 milionëshe e saj!
Artikulli tjetër“Il Giorno” zbulon emrin e Bossit shqiptar të heroinës që po “pushton” Italinë