Fasonët, 27 milionë euro humbje në vit nga zhvlerësimi i euros

Duket se më të humburit prej zhvlerësimit të monedhës së përbashkët europiane janë eksportuesit, kryesisht operatorët në sektorin fason, që punojnë në sektorin e tekstileve e këpucëve. Në harkun kohor të një viti (mars 2017- mars 2018), euro është zhvlerësuar me rreth 5 për qind. Vetëm gjatë marsit monedha e përbashkët ka humbur mbi 3 pikë përkundrejt lekut vendas, kurse nga viti në vit humbja ka qenë 6.4 pikë. Aktualisht euro ka zbritur në kuotën e 129 lekëve, ndërsa deri dy vjet më parë, monedha e përbashkët këmbehej mesatarisht me 140 lekë.
E ndërsa me zhvlerësimin e euros, mallrat e importit, pushimet jashtë, këstet e kredisë po bëhen më të lira, duket se për fasonët “po kthehet në dhimbje koke”.
Flamur Hoxha, administrator i kompanisë fasone Kler, tha për Monitor se, humbja prej kursit të këmbimit, deri më tani shkon nga 5 deri në 7 për qind e xhiros.
Shitjet e sektorit, në 2017-ën, përllogariten të jenë rreth 50 miliardë lekë, sipas të dhënave nga Anketa e Strukturore e Ndërmarrjes 2016 dhe operatorëve për normën e rritjes në 2017. Ndërsa humbjet për shkak të zhvlerësimit të euros me 5% arrijnë deri në 3.5 miliardë lekë apo 27 milionë euro.
Këto humbje sipas zotit Hoxha do të amortizohen, duke ulur fitimet dhe investimet e kompanive fason.
I gjithë sektori fason numëron 46 mijë të punësuar, sipas Anketës Strukturore të INSTAT. Kostot e punës janë zëri kryesor i shpenzimeve për sektorin dhe si avantazh kryesor kanë pasur krahun e lirë të punës.

Zhvlerësimi i euros po dëmton sektorin
Çdo pikë zhvlerësim i euros përkthehet në po kaq pikë minus të ardhura në sektorin e fasonit shprehet biznesmeni Gjergj Liqejza, administrator i kompanisë Madish. Ai pohoi se gjatë vitit 2017 euro është nënçmuar me rreth 4 pikë ndaj lekut dhe po në këtë masë kanë rënë edhe të ardhurat e eksportuesve.
Eksportuesit i kanë kontratat e shitjes në euro teksa shpenzimet i kanë lekë. Rënia e vlerave të euros ka frenuar ritmet e rritjes së eksporteve, të cilat do të ishin edhe më të lartë në vlerë nëse euro nuk do nënçmohej në nivelet aktuale. Rënia e mëtejshme edhe e saj gjatë vitit, lajmëron frenim të rritjes së industrisë edhe këtë vit.
Në një prononcim të mëparshëm për Monitor, “Albaco Shoes” një nga kompanitë më të mëdha të eksportit në sektorin fason, konkretisht në prodhimin e këpucës, pa një rënie të dukshme të fitimeve prej zhvlerësimit të monedhës së përbashkët euro me rreth 4 pikë në vitin 2016. Ekonomistja e Albaco pohoi se, nëse kursi i këmbimit do të vijonte nënçmimin për euron, siç ka ndodhur së fundmi, rënia e të ardhurave do të krijonte vështirësi. Volumi i këmbimeve të kompanisë në një ditë arrin mesatarisht 50-60 mijë euro. Në një muaj sipërmarrja e fasonit këmben rreth 1 milion euro. Duke qenë se euro u zhvlerësua me 3.5 për qind në 2016, humbjet e kompanisë nga kursi i këmbimit llogariteshin 35 mijë euro në vetëm një muaj. Kjo shumë e konvertuar në 12 muaj i çon humbjet nga kursi i këmbimit në një vit në rreth 450 mijë euro.
Tekstilet dhe këpucët janë grupi më i eksportuar në vend, me 43% të totalit. Industria po kalon një fazë të mirë për momentin, për shkak të rritjes së porosive nga partnerët e huaj, sidomos ata italianë. Ekspertë të sektorit pohojnë se ata janë në fazë zgjerimi dhe po hasin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore.

Artikulli paraprakBizneset e vogla: Protesta deri në grevë urie kundër TVSH
Artikulli tjetërUshqimi dhe pijet që duhet të konsumojnë personat astmatikë