Farsa e shtrenjtë/ Qeveria jep 400 mijë euro të tjera për Këshillimin Kombëtar

Qeveria do të shpenzojë të tjera para të qytetarëve për farsën e Këshillimit Kombëtar. Këshilli i Ministrave ka vendosur në mbledhjen e fundit që të akordojë 43.5 milionë lekë ose rreth 420 mijë euro për Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje me destinacion të përcaktuar për financimin e programit të Këshillimit Kombëtar.

“Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, i shtohet fondi prej 43.5 milionë lekësh për financimin e programit të “Këshillimit Kombëtar”, në përputhje me legjislacionin dhe kuadrin rregullator në fuqi,” thuhet në vendimin e qeverisë.

Farsa e Këshillimit

Programi i Këshillimit Kombëtar u lançua si një ide e vet kryeministrit Edi Rama në dhjetor të vitit 2021. Sipas shefit të qeverisë, përmes këtij programi do të merrej mendimi i qytetarëve për çështjet strategjike dhe ato me rëndësi kombëtare të qeverisjes.

Formulari me pyetjet drejtuar qytetarëve u bë publik në janar të vitit të kaluar. Ai përmbante 12 pyetje, të cilat qeveria i kishte vetë caktuar si çështje strategjike dhe për të cilat kërkonte mendimin e qytetarëve.

Por cilat ishin këto çështje strategjike me rëndësi të madhe për Kombin sipas qeverisë? Legalizimi i Hashashit, Ballkani i Hapur, kontributet e pensionistëve që punojnë, vaksinat nëse duhet të jenë me detyrim ose jo etj etj.

Populli votoi plebishit për nismat e qeverisë

Pyetjet i bëri qeveria. Formularët i dërgoi po qeveria. Në fund i numëroi dhe shpalli edhe rezultatin po vet. Dhe ashtu sikurse pritej populli i mbështeti në mënyrë dërrmuese nismat e qeverisë.

Gjysmë milionë shqiptarët që votuan u shprehën në plebishit pro legalizimit të hashashit, Ballkanit të Hapur, Amnistisë Fiskale e kështu me radhë. Farsa kushtoi gjysmë milionë euro dhe në fund mbështetja e qytetarëve për Ballkanin e Hapur apo amnistinë fiskale u hodh në kosh, kur qeveria u tërhoq nga të dy nismat.

Tashmë qytetarët do të paguajnë sërish. Këtë herë 420 mijë euro të tjera. Mbetet për t’u parë se cilat janë çështjet që qeveria do të përzgjedhë si strategjike kësaj radhe.

Një qeveri e cila nuk lejon referendumet, ku qytetarët të përfshihen direkte në vendimarrje për çështje të cilët ata i konsiderojnë me rëndësi kombëtare, servir farsën e Këshillimit Kombëtar duke i bërë madje edhe të paguajnë miliona nga xhepi./Kapitali.al

Artikulli paraprakBeteja për vulën/ “S’kemi dyshime për fitoren”, Sekretari për Reformën Zgjedhore në PD: Ja kur mund të zgjidhet konflikti…
Artikulli tjetërRriten rastet me grip/ Simaku: Bëni kujdes, piku pritet në fund të janarit