Farmacitë në Shqipëri, çmime të ndryshme për të njëjtin ilaç

Hyrja në fuqi e listës së barnave të rimbursueshme dhe kontratat e reja me farmacitë ka shkaktuar një situatë kaotike mes farmacistëve, të cilët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa, mund ta zgjidhin çështjen në rrugë ligjore.
Urdhri i Farmacistëve shpreh shqetësimin se hyrja në fuqi e listës së barnave dhe kontratës F 2018 është bërë pa asnjë njoftim paraprak drejtuar farmacive, duke shkaktuar tek farmacitë humbje të konsiderueshme financiare për shkak të gjendjes së barnave të blera me çmimin e listës së mëparshme.
Në një deklaratë për mediat, presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma u shpreh:
“Lista e barnave të rimbursueshme ka hyrë në fuqi ditën e shtunë më datën 5 Maj 2018, pa asnjë njoftim paraprak drejtuar farmacive. Hyrja në fuqi e kësaj liste në mënyrë të paparalajmëruar ka shkaktuar tek farmacitë humbje të konsiderueshme financiare për shkak të gjendjes së barnave të blera me çmimin e listës së mëparshme. Farmacistët gjenden sot para një situate kaotike e cila do të sjellë dhe përballje me qytetarët për shkak të çmimeve të ndryshme për të njëjtin bar. Farmacistët gjenden sot edhe para faktit të mungesave të shumta të barnave qofshin këto alternativa të para apo alternativa të vetme. Lista e re e barnave është shoqëruar dhe me ndryshime të kodeve të barnave, gjë që ka sjellë vonesa në punën e farmacisë dhe sorollatje të pacientëve”.

Lidhur me kontratën Farmaci – Fond i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, farmacistët thonë se është e njëanshme dhe nuk është konsultuar më parë me asnjë farmacist.
Në lidhje me diferencat në minus për të cilat janë parashikuar penalitete të rënda për farmacistët:
– Kontrolli i barnave që qarkullojnë me receta pa rimbursim nuk është objekt i kontratës. FONDIT nuk i shkatohet asnjë dëm ekonomik nga tregtimi i barnave pa rimbursim. Mungojnë aktet nënligjore për recetën tip pa rimbursim dhe farmacia nuk mban autorësi e për pasojë përgjegjësi për mënyrën e përshkrimit të recetës.
– As në këtë kontratë nuk është parashikuar rimbursimi që duhet ti bëhet subjekteve farmaceutike lidhur me kostot e recetës elektronike. Megjithëse shpenzimi për recetën elektronike i është faturuar totalisht subjekteve farmaceutike, nga Fondi në mënyrë të padrejtë kërkohet që pacientit farmacia t’i mbajë vlerën prej 100 lekësh, vlerë kjo e cila mbahej në kohën kur receta ishte manuale.
Lidhur me shqetësimet e ngritura, Urdhri i Farmacistëve kërkon marrjen e masave të menjëhershme për zgjidhjen e tyre, duke iu drejtuar mënyrës ligjore, nëpërmjet institucioneve që kanë të tërë të drejtën ligjore për ta zgjidhur dhe për të përfaqësuar grupet e interesit.

Artikulli paraprakÇfarë duhet të hamë, 10 ushqimet më të mira
Artikulli tjetërSkandali me bukën, nëpër furra përdoret mielli më i keq në Evropë, rrezik për shëndetin