Fantazma e Milosheviçit dhe zgjedhjet serbe

Gordana Knezheviq

Për shumëkënd, Sllobodan Millosheviqi edhe më tej është “kasapi i Ballkanit”, njeriu i akuzuar për organizimin dhe kontrollimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera gjatë luftërave të viteve të ‘90-ta në Bosnjë, Kroaci dhe në Kosovë.
Brenda Serbisë, megjithatë, pamja është më e ndërlikuar. Parti dhjetë vjet pas vdekjes së tij në Hagë, ish-lideri serb Millosheviq mbetet emri shënjues në mesin e një segmenti të caktuar të votuesve. Vendi mban zgjedhjet parlamentare më 24 prill dhe ish-Partia Socialiste e Millosheviqit shpreson se, fantazma e tij do të ndihmojë rritjen e numrit të votave mbi 13 për qind, sa kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2014.
Fakti që Millosheviqi e la këtë botë para se Gjykata e Hagës të shpallë vendimin e saj për të, nga mbështetësit e tij shihet si “dëshmi e pafajësisë”. Partia Socialiste asnjëherë nuk është distancuar nga Milosheviqi, ndonëse në të kaluarën kishte minimizuar lidhjet me themeluesin e saj.
Jo shumë kohë më parë, nipi 17-vjeçar i Millosheviqit, Markoja, dhe e reja e tij, Milica, ishin mysafirë nderi në kongresin e Partisë Socialiste në Beograd që u mbajt më 10 prill. Lideri i partisë, Ivica Daçiq, që është edhe ministër i Jashtëm, tha që ndonëse kishte ftuar të afërmit e Millosheviqit, kjo nuk duhet të shihet si shenjë e përkrahjes për politikat e viteve të ‘90-ta.
Por, shumë njerëz nuk janë të bindur.
Shpresa e Daçiqit se trashëgimia e Millosheviqit mund të forcojë fushatën e tij, mund të jetë shenjë e dëshpërimit. Në një intervistë me Radion “Evropa e Lirë”, më 16 prill, Daçiq tha se do të japë dorëheqje, nëse partia e tij fiton më pak se dhjetë për qind të votave. I pyetur nëse ftesa për të afërmit e Millosheviqit është një deshmi e qëndrimit kundrejt ish-liderit të partisë, Daçiq tha se, “ai nuk ka për çfarë të amnistohet, sepse nuk është dënuar.
Së dyti, edhe nëse (akuzat e Hagës) do të ishin të sakta, kjo nuk ka të bëjë asgjë me nipin e tij. Së treti, ai ishte kryetar i Partisë Socialiste dhe është pjesë e historisë së saj. Nuk mund të themi se kjo nuk ekziston. Unë jam në situatë delikate, meqë nëse nuk e përmend Millosheviqin, atëherë më akuzojnë se po e mohoj, po distancohem etj. Ndërsa, nëse e përmend, atëherë thonë se jam duke e keqpërdorur.
Në pajtim me politikën serbe të “rrugës së mesme”, Daçiqi është shfaqur edhe pro evropian edhe pro rus. Partia Përparimtare e kryeministrit Aleksandar Vuçiq pritet të fitojë sërish në këto zgjedhje. Por, do të jetë interesante të shihet se sa do t’i ndihmojë Daçiqit fantazma e Millosheviqit dhe sa larg do të shkojë ai duke thirrur në ndihmë shpirtërat e së kaluarës.

Artikulli paraprakVuçiç drejt një mandati të ri përmes akuzave për korrupsion
Artikulli tjetërDështon ndërmjetësimi i BE në Maqedoni