“Face ID”

Teknologjia e fundit e identifikimit të fytyrës të iPhone X si metodë sigurie për të hapur dhe mbyllur telefonin celular në vend të skanerit të shenjës së gishtit apo metodës së vjetër të kodit numerik, pretendohet se e bën telefonin më të sigurt. Siç sugjerojnë edhe radhët e gjata përpara dyqaneve në ditën e parë të shitjes së smartphone-it të ri dhe numrit rekord të shitjeve brenda ditës, duket qartë se konsumatorëve nuk i intereson aspak fakti që Apple do të ketë tashmë akses në një lum të dhënash biometrike të mundësuar ndaj teknologjia e identifikimit të fytyrës dhe nuk kanë ndërmend të ankohen për dhunimin e privatësisë së tyre nga ana e kompanisë.
Apple nuk është kompania e vetme që përdor teknologjinë e identifikimit të fytyrës në shkallë të lartë, pasi disa aeroporte janë duke instaluar kamera të teknologjisë së lartë që i detyrojnë pasagjerët të përdorin fytyrat e tyre si “boarding pass”, ndërsa të tjerë janë duke eksperimentuar me kombinimin e Inteligjencës Artificiale dhe kamerave në vend të pikave të kontrollit. Me sa duket këto teknologji do të fillojnë të shfaqen një nga një nëpër aeroportet e ndryshme të botës që konsiderohen si pikat kufitare të një shteti, ku udhëtarët hyjnë e dalin. Në debatin e përjetshëm ndërmjet sigurisë dhe lirisë personale, dëshira për siguri duket se po fiton dhe skanerët biometrikë të fytyrës do të kthehen shpejt në metodën e vetme të sigurisë aeroportuale.
Apple nuk e ka saktësuar procedurën e pronësisë së sistemit të saj të skanimit të fytyrës. Sistemi i identifikimit të fytyrës projekton mbi 30 mijë pika mbi fytyrë për të krijuar një “hartë” dhe përdor një çip bionik për të ndihmuar mekanizmin e zhvillimit të makinerisë në mënyrë që të identifikojë edhe ndryshimet në pamje, si vendosja e syzeve apo rritja e qimeve të mjekrës. Sipas Apple, “Face ID” është një mekanizëm tejmase i sigurt dhe mundësia që dikush tjetër të arrijë të ç’kyçë një iPhone X është një në një milion, krahasuar me mundësinë një në 50 mijë të mekanizmit “Touch ID”.
Apple këmbëngul gjithashtu se nuk i ruan dhe as i shpërndan me askënd informacionet biometrike dhe se janë të përkushtuar plotësisht për të ruajtur privatësinë e konsumatorëve, diçka që kreu i Apple, Tim Cook, e bëri të qartë në vitin 2016, kur FBI kërkoi ndihmën e kompanisë për të patur akses në celularin iPhone të autorëve të masakrës së San Bernandos. Duke pasur parasysh blerjen e fundit të Apple të “Emotient, Inc.”, një mekanizëm i inteligjencës artificiale që lexon shprehitë e fytyrës dhe emocionet, si dhe faktin që do të ketë akses në shumë të dhëna të identifikimit të fytyrës, është gjithashtu e mundur që “Face ID” të përdoret në shumë e shumë situata të tjera, jo vetëm për të identifikuar nëse personi që ka vënë syze është vërtetë pronari i iPhone-it apo jo.
Nga ana tjetër, të dhënat biometrike të mbledhura në aeroporte, ruhen pa dyshim diku për t’u përdorur sërisht më vonë. Në fund të fundit, kjo është arsyeja primare përse vendoset identifikimi i fytyrës në kufi. Këto sisteme nuk janë aq të avancuara si ato të Apple, madje kompania mund të implementojë shumë shpejt edhe teknologjinë e leximit të emocioneve përmes “Emotient”, por arrijnë të identifikojnë një person përmes një fotoje të shkrepur në moment dhe të dhënat biometrike të kapura në aeroport, për të vërtetuar identitetin e një personi. Kjo teknologji nga njëra anë është mjaft e dobishme për udhëtarët, pasi procesi kërkoi vetëm 15 sekonda kohë dhe redukton ndjeshëm pritjen në radhë në aeroport. Ndoshta një ditë nuk do të kemi nevojë për pasaportë dhe boarding pass dhe e vetmja gjë që do të na nevojitet për të hipur në avion do të jetë fytyra jonë.
Dubai, në veçanti, ka nisur një plan për implementin e sistemit inovativ të identifikimit të fytyrës që do të instalohet gjatë verës së vitit 2018. Bëhet fjalë për një akuarium virtual në formë tuneli i pajisur me 80 kamera që skanojnë fytyrën dhe aktivizohet teksa pasagjerët kalojnë. Ideja është që deri në fund të tunelit, pasagjerët duhet të kenë kaluar sigurinë kufitare, përndryshe oficerët e aeroportit do të njoftohen për ekzistencën e një rreziku potencial. Natyrisht ky është misioni thelbësor i sistemeve biometrike: siguria kufitare, jo lehtësimi i radhëve të gjata të kontrollit për pasagjerët.
Pas sulmeve të 11 shtatorit, kur u rritën ndjeshëm shqetësimet për sigurinë në aeroporte, teknologjia e identifikimit të fytyrës nuk ishte aq e avancuar për ta mundësuar këtë proces, por në tetor të vitit 2017, agjencia e doganave dhe mbrojtjes kufitare deklaroi se tetë aeroporte amerikane kanë implementuar sistemin biometrik, bashkë me disa aeroporte të tjera të Japonisë dhe Francës. Në programin e provës për sistemin amerikan, u bënë fotografi të udhëtarëve në terminal dhe u njësuan me regjistrat qeveritare për të konfirmuar identitetin dhe rritur sigurinë. Programi deklaron se, fotografitë e qytetarëve amerikanë do të fshihen automatikisht pas 14 ditësh, por ato të shtetasve të huaj do të ruhen përgjithmonë në sistem.
Shqetësimet e sigurisë për sistemin biometrik aeroportual janë më të mëdha se ato që lidhen me frikën se, Apple mund të përdorë sistemin e leximit të emocioneve për të dërguar reklamat më të përshtatshme për konsumatorin. Për shembull, nëse kapet fotografia e një individi në aeroport, asgjë nuk i pengon oficerët që ta kontrollojnë atë në regjistrat e FBI-së apo të policisë lokale. Kjo do të thotë se përveç kriminelëve kombëtare dhe ndërkombëtarë, apo terroristëve potencialë, të gjithë individët do t’i nënshtrohen një kontrolli të imtë policor sa herë që duan të hipin në avion.
Ndërkohë që teknologjia vazhdon të avancojë dhe të bëhet gjithnjë e më pak e kushtueshme – një ditë edhe makineritë e kafesë do të njohin fytyrën tonë – qeveritë dhe aeroportet e të gjithë botës do ta adoptojnë atë. Kjo do të thotë se, pavarësisht shqetësimeve mbi dhunimin e privatësisë, kapërcimi i kufirit një ditë do të kërkojë detyrimisht skanimin e fytyrës. Ende nuk dihet nëse kjo do ta shtojë vërtetë sigurinë kombëtare, por është e qartë se do të jetë një tjetër liri individuale që na shkel avancimi i teknologjisë.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakLëvizja studentore e Dhjetorit ‘90-të, si e kam jetuar unë..!
Artikulli tjetërMarina Popoviç dhe ëndrra hapësinore e mohuar