Evropa e kënaqur për fitoren e Van der Bellen

Shenjë e mirë kundër populizmit në Evropë – lehtësim për fitoren e Van der Bellen në zgjedhjet presidenciale në Austri.
Në zgjedhjet presidenciale në Austri fitues doli ish-kryetari i Partisë së Gjelbër, Alexander van der Bellen. Ai fitoi ndaj kandidatit populist të djathtë, Norber Hofer.
Në reagimet e politikanëve evropianë u ndje lehtësimi për fitoren e Van der Bellen. Tani ka për detyrë “të bashkojë sërish shoqërinë austriake pas kësaj fushate të gjatë dhe të fortë elektorale”, tha sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Peter Tauber në Berlin.

Shenjë e mirë kundër populizmit në Evropë
“Rezulati është një shenjë e mirë kundër populizmit në Evropë”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier (SPD).
Kjo është një ditë e mirë për Austrinë, por përfundimi i zgjedhjeve nuk do të thotë se duhet të ulim shkallën e gatishmërisë, tha për gazetën “Berliner Zeitung” sekretarja e Përgjithshme e Partisë Socialdemokrate, Katarina Barley. “Populistët e djathtë apelojnë në të gjithë Evropën ndaj instinkteve të ulëta dhe shfrytëzojnë madje edhe shqetësimet e njerëzve dhe nxisin frikëra”, tha ajo.
Fitorja e Van der Bellen është “një humbje e rëndë për nacionalizmin, prapambetjen dhe populizmin antievropian”, shkroi në Twitter presidenti i Parlamentin Evropian, Martin Schulz (SPD).
“Në një kohë kur ne gjendemi përpara sfidash të vështira, kontributi i mëtejshëm konstruktiv i Austrisë për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta evropiane mbetet me rëndësi vendimtare”, tha në Bruksel presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk.

Artikulli paraprakHyka dhe Ajeti, më të mirët e javës
Artikulli tjetërGjermani, kundërsulme ndaj sulmeve kibernetike