Evolucioni i politikës së jashtme kineze

Politika e jashtme aktuale e Republikës Popullore të Kinës është fryt i një procesi evolutiv relativisht të gjatë. Nga viti 1949 e deri në ditët tona, ajo ka ardhur duke u strukturuar mbi bazën e elementëve shkëputës dhe të kontinuitetit që meritojnë të merren në konsideratë nëpërmjet një analize të shkurtër historike
Epoka maoiste (1949 – 1976)
Epoka maoiste mbulon një hark kohor prej pothuajse 30 vjetësh. Gjatë kësaj periudhe, një ngjarje mbi të gjitha shënon politikën e jashtme kineze: prishja në vitin 1960 e raporteve politike midis Moskës dhe Pekinit. Duke e supozuar këtë ngjarje si një pikë ndarëse, mund të thuhet se, nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës deri në vdekjen e Mao Ce Dunit, elita politike kineze ka përpunuar në lëmin e politikës së jashtme dy doktrina të ndryshme.
Në fazën e para vitit 1960, marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës Popullore të Kinës janë të shtyra nga ideologjia politike. Ai që mbizotëron është vizioni manikeas i një bote të ndarë në socialistë dhe imperialistë, që duke mos pranuar zgjidhje të ndërmjetme impononin vendosmëri në zgjedhjen e aleatëve. Shembull i kësaj mund të jetë pohimi i Mao Ce Dunit, sipas të cilit «duhet anuar nga imperializmi apo nga socializmi: qëndrimi në mes është e pamundur, një rrugë e tretë nuk ekziston». Kështu, Republikës Popullore të Kinës nuk i mbetet tjetër veçse të rreshtohet me kampin e forcave të konsideruara «demokratike dhe dashnore të paqes të drejtuar nga Bashkimi Sovjetik» dhe të impenjohet, në mënyrë pakashumë të drejtpërdrejtë, në kontrast me imperialistët, siç dëshmohet nga ngjarjet e Luftës së Koresë (1950 – 1953) ose nga retorika e fuqishme antiamerikane që del në diskutime të ndryshme të Mao Ce Dunit dhe të drejtuesve të lartë kinezë.
Në fazën e pas vitit 1960, ideologjia orienton akoma marrëdhëniet ndërkombëtare kineze, bile është prej saj që ndodh edhe prishja me Bashkimin Sovjetik, që duke promovuar një raport më pak të tendosur me Shtetet e Bashkuara përfundon për t’u akuzuar si revizioniste. E mbetur e privuar nga çdo mbështetje domethënëse e jashtme, Republika Popullore e Kinës provon që të akreditohet si idhtarja e vetme e një rendi botëror vërtet të drejtë, duke adoptuar një regjistër politik prej vendi të paangazhuar. Midis gjërave të tjera, është momenti i së ashtuquajturës “Teori e Tri Botëve”, domethënë e një klasifikimi të vendeve, në funksion të pretendimeve të tyre hegjemoniste. Në këtë optikë, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara futen në botën e parë, duke pasur parasysh vullnetin e përbashkët të tyre për të dominuar planetin; Kina, bashkë me vendet ish-koloniale, ndodhet në botën e tretë, duke pasur një dispozicion shpirtëror të kundërt me atë të superfuqive. Kurse vendet e tjera të zhvilluara të Perëndimit përfshihen në botën e dytë, duke qenë të lëkundur në qëndrimin e tyre.
Duke konkluduar, në vitin 1960, Republika Popullore e Kinës del nga logjika e blloqeve dhe, pavarësisht se në thelb e izoluar, hedh bazat për një politikë të jashtme relativisht të lirë. Falë kësaj zgjedhjeje, vetëm pjesërisht vullnetare, më 25 tetor 1971, e mbështetur sidomos nga vendet e tjera të paangazhuara, Republika Popullore e Kinës zë vendin e Tajvanit në Kombet e Bashkuara, duke bërë që mbi të gjitha të vlejë ideja e ekzistencës të “një Kine unike”.

Reforma dhe hapje (1978 – 2012)
Vdekja e Mao Ce Dunit (9 shtator 1976) revolucionon politikën e brendshme dhe të jashtme të Republikës Popullore të Kinës. Në fakt, pas një periudhe të shkurtër trazirash (1976 – 1978), lidershipi i Kinës komuniste merret nga një kolektiv drejtues që lë menjanë radikalizmin ideologjik në favor të zhvillimit ekonomik. Ky kolektiv drejtues, tashmë në drejtim prej rreth 40 vitesh, është i mirëpërfaqësuar nga figura e vetë kreut të tij: Ten Hsiao Pinit, që e fut Republikën Popullore të Kinës në një linjë politike që ka mbetur në thelb e pandryshuar prej më shumë së tri dekadash.
Pragmatizmi, i finalizuar me begatinë ekonomike, është shylla e kësaj epoke të re. Në planin e brendshëm, ai përkthehet në zbatimin e reformave të nevojshme ekonomike, kurse në planin ndërkombëtar në hapjen ndaj botës së jashtme dhe në ruajtjen e paqes.
Hapja ndaj botës së jashtme është një prej pikave qendrore e së ashtuquajturës “Teori e Ten Hsiao Pinit” dhe, nga viti 1997, e statutit të Partisë Komuniste Kineze. Qëllimi i saj është ai i absorbimit të kapitalit dhe dijes tekniko–shkencore pararojë nga pjesa tjetër e botës, për të mbushur kështu hendekun ekonomik me vendet më të zhvilluara. Në vijim të kësaj duhet lexuar, për shembull, normalizimi i raporteve diplomatke me Shtetet e Bashkuara (shkurt 1979) apo krijimi progresiv (nga viti 1980) në territorin kinez i Zonave Ekonomike Speciale, ku të huajt mund të bëjnë biznes, duke gëzuar regjime fiskale të favorshme.
Kurse ruajtja e paqes rrjedh nga nevoja për të shmangur shpenzime të tepruara për mbrojtjen. Sipas Republikës Popullore të Kinës, ajo varet nga zbatimi në marrëdhëniet ndërkombëtare i 5 parimeve: 1) Respektimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial, 2) Mosagresioni, 3) Mungesa e ndërhyrjeve në punët e brendshme, 4) Barazia dhe përfitimi reciprok në raportet ekonomike dhe 5) Bashkëekzistenca paqësore. Për më tepër, Republika Popullore e Kinës impenjohet në ruajtjen e paqes, duke shmangur aleancat detyruese (parimi i “politikës së jashtme të pavarur”), duke promovuar shfrytëzimin e pranuar të resurseve të territoreve të kontestuara (parimi i “zhvillimit të përbashkët”) dhe duke ndjekur një ribashkim territorial që synon ta lërë të lirë Tajvanin, në të ardhmen, që të praktikojë një ekonomi kapitaliste të markës perëndimore (modeli “një vend, dy sisteme”).
Duke e përmbledhur, Kina pasmaoiste ruan dhe rrit lirinë e manovrimit në politikën e jashtme, duke shmangur një ideologji të barsur me izolim dhe prapambetje. Me këtë, Republika Popullore e Kinës arrin të transformohet në një fuqi ekonomike, e aftë parasëgjithash që të sigurojë hyrjen në Organizatën Botërore të Tregtisë (11 dhjetor 2001).

Ëndrra kineze (2012 – )
Linja pragmatiste e Ten Hsiao Pinit, e adoptuar edhe nga Jiang Zemin e Hu Jintao, i imponon Republikës Popullore të Kinës që të hapet ndaj botës, por edhe të ruajë një profil politik të ulët ndërkombëtar, në mënyrë që të rritet e pashqetësuar. Kjo linjë, e përmbledhur nga motoja «Të fshehësh forcën, të presësh momentin», duke filluar nga viti 2012, vihet në diskutim nga Xi Jinping, lideri aktual i Republikës Popullore të Kinës, dhe nga politika e tij e përqendruar mbi «ëndrrën e rinovimit të madh të kombit kinez».
Kursi politik i nisur nga Xi Jinping, që synon një rilindje vendimtare të Kinës, mund të përshkruhet si qëllimi për të «ndërtuar një shoqëri të begatë në mënyrë të moderuar në çdo aspekt të sajin brenda 100-vjetorit të krijimit të Partisë Komuniste të Kinës në vitin 2021; [dhe për ta] bërë Kinën një vend socialist modern, të begatë, të fortë, demokratik, të avancuar kulturalisht dhe harmonik brenda 100-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës në vitin 2049».
Ëndërra kineze, siç përshkruhet më lart, nuk përpunon më tej idenë e një Kine pasive në planin ndërkombëtar; rilindja e kombit kinez kalon nëpërmjet një politike të jashtme më luftarake dhe proaktive. Me fjalë të tjera, si “vend në pritje të zhvillimit”, Republika Popullore e Kinës duhet që të fillojë të marrë mbi vete detyrime të caktuara në nivel ndërkombëtar, midis të cilave: ndërtimin e një qytetërimi ekologjik, mbrojtjen dhe zhvillimin e një ekonomie moderne të hapur, promovimin dhe thellimin e bashkëpunimit win-win dhe të marrëdhënieve multilaterale.
Por marrja mbi vete e përgjegjësive të tilla kërkon tejkalimin e një pragu të caktuar rëndësie gjeopolitike, për pasojë pamundësia për të ndikuar mbi bashkësinë ndërkombëtare. E thënë ndryshe, Republika Popullore e Kinës duhet ta rrisë shikueshmërinë e saj, në mënyrë që të dëgjohet me vëmendjen e duhur nga vendet e tjera. Mbështetja në rritje ndaj misione paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, numri i konsiderueshëm i udhëtimeve jashtë vendit nga ana e Xi Jinping, krijimi i Asian Infrastructure Investment Bank, lançimi i One Belt One Road Initiative janë të gjitha operacione të dobishme për qëllimin.
Si konkluzion, nën Xi Jinping, Republika Popullore e Kinës ndjek politikën e jashtme të imponuar nga Ten Hsiao Pini, por me një shpirt të ri. Fshehja dhe pritja nuk janë më fjalë kyçe, të zëvendësuara siç janë nga ëndrra të caktuara madhështie, që, për më tepër, kanë gjetur në politikat e kohëve të fundit izolacioniste amerikane një aleat të pashpresuar.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakDosja Tahiri-Habilaj/ Prokuroria merr në pyetje truprojën e ish-ministrit
Artikulli tjetërDetaje të reja/ 1 tonët e kokainës të kapur në Spanjë vinte nga Shqipëria