Evazion 26 milionë euro në 24 biznese

Nga viti i kaluar, administrata tatimore ka nisur kontrollet në bazën e analizës së riskut. Sektorët dhe bizneset janë seleksionuar më parë nga sistemi elektronik si të dyshuara për evazion dhe më pas tatimet kanë ushtruar kontrolle dhe verifikime në terren. Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet u zbuluan rreth 3.6 miliardë lekë (26 mln euro) në vetëm 24 biznese. Në total zbulimet nga kontrollet kanë një vlerë prej 10.8 miliardë lekësh (78 mln euro). Nga Sektori i Analizës së Riskut në funksion të përmbushjes së detyrave funksionale në zbatim të rregullores “Mbi procedurat e zgjedhjes për kontroll” janë përzgjedhur 2,155 tatimpagues gjithsej për kontroll për vitin 2016. Nga të cilat 1,245 tatimpagues janë planifikuar për kontroll të plotë  dhe 910 tatimpagues për vizita fiskale.
Për periudhën janar-dhjetor 2016 janë realizuar 2,111 kontrolle gjithsej  me një diferencë prej 44 tatimpaguesish ose 98% e planit të kontrolleve. Zbulime me rëndësi, sipas tatimeve, referuar kontrolleve gjatë vitit 2016 rezultojnë nga 24 kontrolle në shumën 3,597,438 mijë lekë ose 33% të zbulimeve gjithsej prej 10,808,623 mijë lekë. Sipas llojit të kontrollit, nga 1,107 kontrolle të planifikuara, 533 kontrolle janë të plota dhe 574 janë vizita fiskale.
Sipas tatimeve zbulueshmëria ka rezultuar pozitive në Sigurimet Shoqërore e Shëndetësore e lidhur kjo edhe me aksionet në kuadër të luftës kundër informalitetit. Zbulimi çoi në skemën e sigurimeve 103 milionë lekë më shumë. Nga 14 drejtoritë  rajonale, vetëm 5 prej tyre rezultojnë me realizim të tejkalimit të planit të kontrolleve tatimore të planifikuara. Drejtoria rajonale e Tiranës ka realizuar 376 kontrolle nga 343 kontrolle të planifikuar ose në 109.6%. Drejtoria e Fierit ka realizuar 220 kontrolle nga 203 të planifikuara ose me 108.4%, ajo e Lezhës ka realizuar 58 kontrolle nga 56 të planifikuar ose 103.6%, ajo e Elbasanit ka realizuar 139 kontrolle nga 135 të planifikuar ose 103.0% dhe ajo e Vlorës ka realizuar 78 kontrolle gjithsej nga 77 të planifikuara.

Artikulli paraprakTaksa progresive ul numrin e deklarimeve të të ardhurave
Artikulli tjetërAutoriteti i Shëndetit: Situatë alarmante, mos pini ujë nga çezma