Europa nis vaksinimin masiv, por koronavirusi i ri po përhapet me shpejtësi…

Zyrtarët e BE-së paralajmëruan se kufizimet ka më shumë të ngjarë të shtrëngohen sesa të lirohen…

Një ish-zonjë pastruese franceze 78-vjeçare, një spanjoll 96-vjeçar në një shtëpi kujdesi dhe një infermiere italiane 29-vjeçare u bënë disa nga njerëzit e parë në BE që provuan vaksinën BioNTech / Pfizer kundër Covid-19, pasi një variant i ri, më infektiv i virusit po përhapet në të gjithë bllokun.

Të dielën, disa vende duke përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën filluan në mënyrë të koordinuar vaksinimin e më të moshuarve, atyre në rrezik dhe të stafit mjekësor në vijën e parë, ndërsa paralajmëruan se në të ardhmen e afërt kufizimet kanë më shumë të ngjarë të shtrëngohen sesa të lirohen.

Franca nisi programin e saj të vaksinimit të Dielën në mëngjes të pacientët e moshuar dhe stafin mjekësor në Sevran, afër Parisit; i pari që mori injeksionin ishte Mauricette, një zonjë pastruese 78-vjeçare e dalë në pension, që do të ndiqej më tej nga vaksinimet në një shtëi të moshuarish në Burgundy pasdite.

Të tjerët të vaksinuar të Dielën përfshijnë Araceli Rosario Hidalgo, një 96-vjeçar në një shtëpi kujdesi në Guadalajara, i cili u bë i pari që mori injeksionin në Spanjë dhe Claudia Alivernini, një infermiere në Romë, e para në Itali.

Në Gjermani, Edith Kwoizalla, një grua 101-vjeçare, tashmë ishte vaksinuar të shtunën në shtetin e Saksoni-Anhaltit, duke bërë që Ministria Kombëtare e Shëndetësisë të ankohej se vendimi i autoriteteve rajonale për të filluar vaksinimet një ditë më herët bie në kundërshtim me planin e prezantimit të vaksinës të koordinuar nga BE.

Fushata e vaksinimit filloi pasi autoriteti rregullator i shëndetësisë i BE-së miratoi vaksinën BioNTech / Pfizer, e para kundra Covid-19, që mori dritën jeshile, të hënën. Mbretëria e Bashkuar dhe SH.B.A gjithashtu kanë autorizuar vaksinën dhe kanë filluar shpërndarjen e saj këtë muaj.

BE ka urdhëruar 300 milion doza të vaksinës BioNTech / Pfizer – të mjaftueshme për 150 milion njerëz, pasi kërkohen dy doza për çdo person, si dhe qindra miliona doza të vaksinave që ende nuk janë aprovuar, përfshirë ato të bëra nga AstraZeneca, Sanofi- GSK, Johnson & Johnson, CureVac dhe Moderna.

“Nëse do të më kishit thënë gjashtë muaj më parë se do të ndodhte kaq shpejt, nuk do ta kisha besuar”, tha Olivier Véran, ministri francez i shëndetësisë, në Le Journal du Dimanche. Por ai gjithashtu paralajmëroi se qeveria franceze nuk mund të përjashtonte një mbyllje të tretë kombëtare për të ngadalësuar infeksionet dhe u bëri thirrje njerëzve që të mos e festojnë Vitin e Ri. Autoritetet gjermane lëshuan paralajmërime të ngjashme, duke u bërë thirrje qytetarëve të përmbahen nga tradita e hedhjes së fishekzjarreve për të shmangur tubimet e mëdha në rrugë dhe mbushjen e spitaleve me të lënduar.

Franca, ashtu si Gjermania dhe Italia, tashmë ka zbuluar një rast të variantit të ri, shumë të transmetueshëm të koronavirusit që është përhapur në pjesë të Anglisë jugore dhe ka bërë që disa vende të kufizojnë ose ndalojnë udhëtimin me Mbretërinë e Bashkuar. Spanja të shtunën tha se kishte identifikuar katër raste, të gjitha prej të mbërriturve nga Britania.

Varianti i ri është zbuluar gjithashtu në vende të tjera duke përfshirë Izraelin, ku kryeministri Benjamin Netanyahu vendosi për një mbyllje të tretë mbarëkombëtare duke filluar të dielën në mbrëmje. Banorët izraelitë do të kufizohen brenda një kilometri nga shtëpitë e tyre, por shkollat ​​deri në klasën e katërt dhe pas klasës së dhjetë do të qëndrojnë të hapura.

Nuk ka ende prova përfundimtare që vaksinat e reja ofrojnë mbrojtje ndaj variantit të ri. Por ekspertët thonë se ka shumë të ngjarë që kjo të ndodhë, pasi pjesa e virusit që ato synojnë, e ashtuquajtura proteina spike, ka të ngjarë të mos ketë ndryshuar.

Sidoqoftë, shkencëtarët gjithashtu kanë paralajmëruar se fushatat e vaksinimit dhe mbylljet kanë të ngjarë të shkaktojnë “presion evolucionar” mbi virusin në planin afatgjatë, që do të thotë se akoma do të nevojiten ndryshime të vaksinave që ato të jenë shumë efikase. Autoritetet shëndetësore tashmë kanë llogaritur se fushatat e vaksinimit ka të ngjarë të jenë të nevojshme çdo vit për të ofruar mbrojtje të qëndrueshme kundër shpërthimeve pandemike në të ardhmen.

Mbeten gjithashtu pyetje të tilla si psh sa qytetarë në fund të fundit do të pranojnë vaksinimin. Franca është ndër vendet më skeptike në botë për vaksinat. Në një studim të vitit 2018, një në tre nuk ishte dakord se vaksinat ishin të sigurta, përqindja më e lartë e çdo vendi. Në Gjermani, sipas një sondazhi të YouGov, rreth dy të tretat e njerëzve janë të gatshëm të marrin vaksinën, ndërsa rreth 19 përqind janë kundër një vaksinimi dhe 16 përqind të tjerë janë të pavendosur. Nga ata që thanë se ishin të gatshëm të vaksinoheshin, 33 përqind thanë se do të merrnin vaksinën pasi të kishin pritur për të parë ndikimin tek ata të vaksinuarit e parë.

Por Jens Spahn, ministri i shëndetësisë, e cilësoi vaksinën si një arritje kombëtare. “Vaksina është zhvilluar nga BioNTech, një kompani gjermane,” tha ai. “Kjo vaksinë, e bërë në Gjermani, do të thotë shpresë për ne dhe për botën.”

Artikulli paraprakDalin pamjet e trafikimit të 322 kg drogë nga Ksamili në Greqi
Artikulli tjetërAlarmi i FMN: Shqipëria në gjendjen më kritike krahasuar me vendet e rajonit