Europa League, Milani ndryshon fytyrë në Vjenë

Jo çdo disfatë duhet përjetuar si e tillë. Milani i kësaj fundjave në Romë zhgënjeu në pritshmëri pas asaj disfate 4-1 ndaj Lazios, por në fund të fundit një humbje që në javën e tretë është më pak e dhembshme se sa një disfatë në fundin e sezonit kur të bëhen llogaritë me laps e letër. Në këtë mënyrë, trajneri Vincenzo Montella ka nënvizuar me të kuqe të gjitha detajet që e bënë Milanin e tij një skuadër të zakonshme në “Olimpico” për të mësuar nga gabimet e së shkuarës. Milani do të rikthehet në fushë të enjten për sfidën e parë të grupeve të Europa League kundër Austrisë së Vjenës, që vjen në momentin më të mirë për të fshirë zhgënjimin e kampionatit. Montella duhet të gjejë cinizmin, lojën dhe shkëlqimin e skuadrës së dy javëve të para dhe për këtë ai ka gati një plan për ridimensionimin taktik të kuqezinjve.
Lëvizja më e guximshme do të jetë rikthimi i mbrojtjes me tre lojtarë që përveçse do t’i japë më shumë siguri Bonuccit, do të lejojë edhe Contin e Rodriguez që të shtyjnë sa më shumë përpara. Ndryshime të rëndësishme edhe në sulm ku Kaliniç dhe Silva do të luajnë përkrah njëri-tjetrit, por nëse Montella vendos për skemën me një sulmues, vetëm njëri prej tyre do ta bëjë fazën e avancuar ndërsa vetëm dy prej treshes Bonaventura, Suso e Calhanoglu do të zinin vend pas tij për t’i dhënë sa më shumë shpejtësi repartit, ku deri në këtë pikë të sezonit ka vendosur i riu Cutrone.

Artikulli paraprakDinamo e Kievit do më shumë tifozë ndaj Skënderbeut
Artikulli tjetërRrëfehet Dibala