Euro kap nivelin më të ulët të vitit; shumë ofertë në euro, pak kërkesë

Edhe pse afati i fundit i pagesës së sigurimeve përfundoi, monedha e përbashkët europiane vazhdon të zhvlerësohet në treg duke shënuar dje nivelin më të ulët të këmbimit për vitin 2017. 1 euro dje këmbehej me 134.93 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Ekspertët e tregut japin si arsye të zhvlerësimit të euros kërkesën e lartë për lek, si dhe një mbiofertë të valutës në tregun vendas. Ndërkohë që si arsye të mbiofertës ata thonë se përveç aktivitetit normal dhe ligjor brenda dhe jashtë vendit (emigrantët) ka ndikuar dhe aktiviteti kriminal.
Monedha e përbashkët prej një viti vazhdon të zhvlerësohet në tregun vendas. Në të njëjtën datë një vit më parë 1 euro këmbehej me 3.2 lekë më shumë se dje. Niveli më i ulët i euros u shënua më 22 dhjetor, ku euro blihej me 134.39 lekë.
Euroizimi i ekonomisë ka vënë dhe në lëvizje Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare që nënshkruan memorandumin e përbashkët për të ulur përdorimin e euros.
Në drejtim të politikave makroekonomike, euroizimi ndikon në uljen e efektivitetit të politikës monetare; kufizon rolin e kursit të lirë të këmbimit si një stabilizues automatik në rastin e goditjeve makroekonomike, në kushtet e ndjeshmërisë më të lartë të subjekteve ekonomike ndaj luhatjeve të mëdha të kursit të këmbimit dhe cenon efektivitetin e politikës fiskale, përmes rritjes së mundshme të kostos së shërbimit të borxhit dhe ndryshimit të strukturës së tij.

Artikulli paraprakTrump: Sulmi në Paris do ndikojë në zgjedhje
Artikulli tjetërRritet huaja në të zezë e familjeve shqiptare